Gara reale e lidershipit, si risi e PDIU

Halil RAMA/Humbja e besimit tek forcat kryesore politike në vend, që aktualisht është më evidente se kurrë, veç të tjerash është rrjedhojë e shmangies së garës për lidershipet e tyre. Por edhe te të ashtuquajturat “parti të vogla”, katarsisi i munguar, ka sjellë rrudhjen e elektoratit dhe humbjen e kredibilitetit të tyre politik dhe moral.

Në këtë klimë mosbesimi dhe konfliktualiteti agresiv, opinioni publik është i orientuar drejt subjekteve të reja, me programe dhe vizione në koherencë me aktualitetin.Një nga këto subjekte është padyshim PDIU, e cila ka bërë progres të dukshëm.

Para pesë vitesh, kur Shpëtim Idrizi dhe Tahir Muhedini, bënë kapërximin epokal me bashkimin e dy partive të tyre, duke lënë mënjanë interesat si lidershipe, rrallëkush mund ta besonte se PDIU-ja e tyre do të thyente tabunë e të quajturit vetëm parti e çamëve, duke u bërë parti me shtrirje mbarëkombëtare. Ky bashkim përtej interesave të lidershipit provoi ndjeshmërinë e shqiptarëve për të mbështetur pikërisht subjekte të tilla si PDIU, që në themel të programit të saj ka bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Ndaj dhe sot askush nuk çuditet me faktin që PDIU është forcë e dyte në Tropojë dhe forcë e tretë në Dibër. Ky subjekt politik, i katërti, jo vetëm për nga rezultatet në dy zgjedhjet e fundit, elektorale dhe vendore, por për numrin e anëtarësisë zhvilloi më 21 Maj procesin më transparent zgjedhor të ndodhur në këto 25 vjet pluralizëm, në ndonjë parti tjetër. Rreth 24 mijë anëtarë të PDIU-së iu drejtuan kutive të votimit, për të zgjedhur kryetarin e ri të partisë si dhe të gjithë drejtuesit në çdo bashki. I gjithë procesisipas parimit “një anëtar-një votë” u ndoq nga komisionet e ngritura, me nga 3 anëtarë.Kjo padyshim është një risi që PDIU sjell në politikën shqiptare. Po jo vetëm kjo, risi tjetër, më me vlera ishte gara e hapur e lidershipit, e paraprirë nga dëgjesat publike të dy konkurentëve: kreut aktual Shpëtim Idrizi dhe rivalit të tij Halil Hyseni.

Prania në garë, jo formalisht e z.Hyseni si zëvendësministër i Punëve të Jashtme, me një karierë politike dhe profesionale të admirueshme dhe mbi të gjitha përballja e tij me platformë të qartë ndaj z.Idrizi, jo vetëm, kryetar i PDIU por edhe nënkryetar i Kuvendit të Shqipërisë, ishte treguesi më sinjifikativ i një gare reale, duke thyer për herë të parë tabunë e farsave zgjedhore në partitë politike shqiptare, kur lidershipet ose mbeteshin pa rivalë, ose konkuronin me rivalë fasadë. Kjo është risia tjetër që PDIU sjell në politikën shqiptare dhe që domosdoshmërisht duhet mbështetur nga e gjithë klasa jonë politike për tëdalë nga gjendja kënetore ku është fundosur.

BETEJA NDAJ STATUSQUO-së, AKSIONI POLITIK I IDRIZIT

Shpëtim Idrizi, i cili dje mori votëbesimin e anëtarësisë për një mandat tjetër në krye të PDIU e mbështeti aksionin e tij politik tek “Beteja ndaj statusquo-së “.Gjatë dëgjesës publike, kur dy kandidatët për kryetarë të PDIU-së, shpalosën platformat e tyre para elektoratit, duke paraqitur idetë e tyre për drejtimin e kësaj partie, z. Idrizi argumentoi bindshëm se statusquo-ja është gjendja e sendeve, e gjërave, e marrëdhënieve, e interesave, ashtu si janë sot, pa lëvizur, pa ndryshuar, pa u rritur, pa u përmirësuar, madje duke u përkeqësuar. Me fjalë të tjera, sipas Idrizit, statusquo-ja është kënetë. Në kënetë uji, nuk lëviz, nuk qarkullon, nuk është i pastër përgjithësisht. Beteja e PDIU-së, nën drejtimin e tij, prej themelimit deri më sot, e tash e tutje, është betejë kundër statusquo-së, kundër kënetës. Dhe ai ka drejtë të krenohet për faktin se PDIU tashmë ka ndryshuar peshën e partive kryesore politike shqiptare, duke u afirmuar me forcë në gjirin e tyre. Po t’iu referohemi statistikave elektorale, por edhe lëvizjeve politike të vitit të fundit, pa PDIU, skena ishte përgjithësisht e palëvizshme, statusquo! Ndaj dhe Idrizi ka të drejtë kur pohon se ai dhe partia e tij kanë ndryshuar me fluksin e ideve, qëndrimeve, betejave, debateve, tematikën e patriotizmit shqiptar, në të gjitha viset ku jetojnë ata. PDIU e ka pasuruar këtë tematikë në mënyrë të veçantë, atë që lidhet me bashkimin kombëtar, me Çështjen Çame, me identitetin tonë kombëtar.

Dhe ajo çka është më kryesorja, z.Idrizi premton zgjidhje të çështjes çame, madje sipas tij zgjidhja është shumë afër dhe për këtë PDIU punon çdo ditë. Ky nuk është sllogan elektoral, por për herë të parë zgjidhja e Çështjes Çame është në dorën  e lidershipit dhe të krejt strukturave e anëtërsisë së PDIU që i ka dalë për Zot. Sot ajo është një çështje që nuk ka më kthim pas dhe për këtë Shpëtim Idrizi garanton politikën shqiptare, shtetin Grek dhe partnerët ndërkombëtarë. Sepse ajo është çështje e të drejtave themelore të njeriut, dhe duhet zgjidhur si e tillë. PDIU që drejtohet nga Idrizi i ka dhënë dinamikë të re perspektivës së zgjidhjes. Dhe jo vetëm kaq, sipas lidershipit, bashkimi kombetar do të jetë ylli polar i PDIU-së. Ky është detyrim kushtetues, të cilin në kushtet e sotme ne nuk mund ta arrijmë.  Janë rrethanat gjeopolitike, ato të cilat duhet ta mundësojnë këtë qëllim.  Ky qëllim, sipas kreut të PDIU mund të realizohet vetëm me mbështetjen e partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe mbi të gjitha pa luftë, në mënyrë paqësore dhe me tolerimin e të gjitha shteteve fqinje. «Në vetëm një shekull, bota ka ndryshuar tre sisteme të mëdha gjeopolitike dhe pa dyshim që sistemet evoluojnë dhe ndryshojnë vazhdimisht. Ajo që ne kemi në dorë sot, është të krijojmë parakushtet e bashkimit kombëtar, sepse bashkimi kombëtar është një proces”, pohon z.Idrizi.

…..DHE TRE PSE-të  E HALIL HYSENIT

Zëvendësministri i Jashtëm Halil Hyseni, që konkuroi përballë Shpëtim Idrizit kishte bërë të qartë se pse në PDIU duhet të kishte garë reale, pse ai ishte këtë garë dhe pse duhet të fitonte kreun e kësaj partie. Në funksion të këtyre tre «pse-ve», diplomati i karrierës, veç tëtjerash argumentoi se pse PDIU është dhe duhet të jetë partia e çështjes kombëtare. Në optikën e tij, PDIU është dhe duhet të jetë partia e çështjes kombëtare, ku çështja çame është një pjesë thelbësore e saj. Ai beson se PDIU duhet të fokusohet  dhe të ketë qartazi në programin e saj politik zgjidhjen e çështjes çame, si kërkesë për të ardhmen tonë, si një premisë për një zhvillim të qëndrueshëm të shqiptarëve.

Madje, i ndjerë i barabartë në startimin e garës për kreun e PDIU, ky intelektual i përmasave mbarëkombëtare, do të theksonte domosdoshmërinë e shndrrimit të kësaj partie në një avokate të halleve të përditshme të shqiptarit, të betejës së tij të përditshme për copën e bukës, për një jetë më të mirë e më të sigurtë për vete dhe familjen e tij. Duke pretenduar lidershipin e PDIU, z.Halil Hyseni u përqëdrua te kujdesi për jetesën e përditshme të shqiptarëve, për bukën e tyre të përditshme, për lirinë e tyre, për demokratizimin e prosperitetin e vendit, për të drejtën, për artin, për shkencën, për sigurinë etj, qëështë detyrë parësore mbi parësoret. Por dje, ndonëse zemërthyer për humbjen, ai uroi publikisht fituesin Idrizi, ndërkohë që shprehu mirënjohjen për5367anëtarët e PDIU që votuan pro kandidaturës së tij për kryetar të kësaj partie (Ndërsa z.Idrizi fitoi me 14087 vota, ose 72.4 për qind të votave të vlefshme).

Tashmë që gara zgjedhore në të gjitha strukturat e PDIU përfundoi, ndërkohë që pritet mbajtja e Kongresit të radhës nëme 4 qershor, anëtarësia dhe gjithë drejtuesit e rinj të këtyre stukturave, ashtu si para pesë vitesh, janë më të bashkuar se kurrë, përtej interesave të lidershipit. Në këtë proces ato dëshmuan përgjegjësi dhe pjekuri politike maksimale për konsolidimin e profilit të qartë kombëtar të kësaj partie.  Garanci për këtë, përveçse rritjes numerike duke tejkaluar tashmë statusin e të qënit “parti e vogël”, është elita intelektuale në drejtimin e saj, nga qendra në bazë. Anëtarët dhe simpatizantët e PDIU, dhe jo vetëm ata, shohin tek lidershipi i kësaj partie profilin e një politikani karriere, që ka spikatur si i tillë, jo vetëm në jetën politike e parlamentare të vendit, por edhe në kancelaritë kryesore të Perëndimit, ashtu si edhe deputetët e PDIU, Mesila Doda e Tahir Muhedini, apo dhe nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, te politologu dhe analisti më i ri në strukturat drejtuese të kësaj partie, Dr.Ardit Bido, te Dr.Arjan Hamiti – Administratori shembullor i Njësisë 10 në kryeqytet si dhe tek dhjetra të tjerë.Madje siç shprehet deputetja Mesila Doda ky proces ka qenë një fytyrë tjetër e realitetit të politikës shqiptare, një shembull i demokracisë së brendshme, se si duhet të funksionojë një parti. Tashmë PDIU është vërtetë një faktor real në spektrin e gjerë të politikës shqiptare.

SHKARKO APP