Gati financimi për bujqësinë, ministri Salla: 5.2 miliardë lekë subvencione për fermerët
5.2 miliardë lekë do të vihen në dispozicion të bujqësisë shqiptare nga skema kombëtare e financimit ndërsa aplikimet do hapen brenda pak ditëve.
Ministri i Bujqësisë, Andis Salla tha se janë ndryshuar një sërë kriteresh duke bërë të mundur përfitimin nga më shumë fermerë.
Skema e re për vitin 2026, përfshin, lehtësira, sidomos për blegtorët, të cilët do të përfitojnë financime nga shteti për një numër më të ulët krerësh.
Ndryshim këtë vit është heqja e skemës së mbështetjes me naftë për fermerët ndërsa është vendosur që mbështetja do të bëhet për sipërfaqe toke të mbjellë.
Çdo fermer do të marrë 100 euro për çdo hektar të mbjellë.
Risi në skemën e bujqësisë për këtë vit është mbështetja me financime deri në 10 mijë euro për të rinjtë që duan të merren me bujqësi.
Fokus të shtuar në skemën e re kombëtare do të ketë edhe mbrojtja biologjike në bujqësi, pra që në vend të pesticideve të përdoren insekte për të luftuar dëmtuesit e bimëve.
“Skema e naftës është skemë mbështetëse, ne japim pagesë të drejtpërdrejtë. Skema që paraqitëm sot është skemë gjithëpërfshirëse, fermeri bëhet pjesë e të gjithë masave, dhe ajo që është më e rëndësishmja 10% i faturimit që do marrë në biznesin që do të çojë produktin. Kjo është ajo që u kemi ofruar fermerëve, nuk është vetëm një masë e caktuar e cila është thënë sot, hiqet masa e naftës. Nuk është vetëm masë nafte, është mbështetje për fermerin, këto masa që kemi vendosur është gjithëpërfshirëse dhe çdo fermer është pjesë e kësaj pakete”, tha Salla.
KOHA JONË SONDAZH

