Gazsjellësi IAP, Shqipëria kërkon mbështetje nga SHBA dhe BE
Në Tiranë u zhvillua sot mbledhja e 4-t paraprake e Njësisë së Menaxhimit të Projektit për gazsjellësin Jonian-Adriatik (IAP). Në këtë strukturë përfshihen përfaqësues nga Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina dhe Kroacia, vende nga të cilat parashikohet të kalojë ky projekt i rëndësishëm.
Të ftuar dhe pjesëmarrës në tryezë ishin ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë z.Donald Lu; ambasadorja e Delegacionit të Komisionit Evropian znj.Romana Vllahutin, përfaqësues të ambasadave të vendeve ku kalon IAP, përfaqësues të TAP dhe drejtues të kompanive Socar, Plinacro, Enegaz dhe asaj shqiptare Albgaz.
Në fjalën e tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri deklaroi se Shqipëria ka përfunduar hartimin e Masterplanit të Gazit dhe ka ndërtuar një bashkëpunim të frytshëm edhe me Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën, Kroacinë dhe Komunitetin e Energjisë për realizimin e projektit IAP, krahas atij TAP i cili është në fazën e ndërtimit. Ai shprehu besimin se ky projekt do të mbështetet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.
“Në vitet e fundit, arkitektura e sigurisë Rajonale dhe Europiane është vënë nën presion si rezultat i një sërë faktorësh si: kriza ekonomike, demografia dhe dhe trysnia e migracioni, identiteti dhe ekstremizmi fetar, ndryshimi i klimës, shtimi i presionit mbi burimet natyrore, pasiguria dhe konfliktet. Në këtë kontekst, siguria energjitike në rajon dhe në Europë ka marrë një rëndësi jetike për arkitekturën e sigurisë rajonale dhe europiane”, u shpreh Gjiknuri.
Duke e parë dhe vlerësuar futjen e gazit natyror në tregun shqiptar të energjisë, Qeveria shqiptare vlerëson jo vetëm rëndësinë që ka diversifikimi i burimeve të furnizimit me energji, si dhe rritja e sigurisë së furnizimit, por njëkohësisht konsideron si shumë të rëndësishëm kontributin që gazi natyror do të japë si një produkt energjetik miqësor me mjedisin.
“Natyrisht, projekti TAP është realisht shtylla kryesore për mbështetjen e zhvillimit të sektorit të gazit në Shqipëri, por gjithsesi, në gazifikimin e vendit një rol parësor do të ketë edhe projekti i gazsjellësit IAP, i cili nuk është vetëm një zgjatim i natyrshëm i TAP, por gjithashtu siguron një zgjidhje realiste të sigurisë së energjisë në rajonin tonë, i cili sjell progres ekonomik për vendet ku kalon por edhe rrit stabilitetin politik”, nënvizoi ministri Gjiknuri.
Më tej, ai sqaroi se projekti IAP do të ketë rol dhe kontribut thelbësor për gazifikimin jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Malit të Zi dhe të Kosovës, nëpërmjet projektit të gazsjellësit ALKOGAP, që sikurse dihet janë tre vendet e vetme në Europë që nuk janë lidhur me rrjetet e gazit dhe nuk kanë zhvilluar sektorin dhe infrastrukturen e gazit.
“Theksojmë se tre nga vendet e IAP janë vende anëtare të NATO-s dhe kjo e bën Projektin IAP akoma më të nevojshëm për sa i përket interesave strategjike në Rajon.
Vendet më të fuqishme në NATO kontribuojnë më shumë financiarisht, ndërkohe që vendet më pak të zhvilluara kontribuojnë me korridoret e infrastrukturave strategjike ndërlidhëse dhe në këtë Aleancë ky është një argument i qëndrueshëm për përkrahjen për të cilën kemi nevojë”, insistoi z.Gjiknuri.
Ministri përmendi edhe barrisën teknike me të cilën projekti ndeshet aktualisht e që ka të bëjë me kërkesën që të përkrahet nga jo më pak se dy vende anëtare të BE-së që të përfshihet në listën e Projekteve të Interesit të Përbashkët (PECI).
Të dhëna teknike:
Projekti i gazsjellesit Jonian-Adriatik (Projekti IAP), synon të lidhësistemin ekzistues të transmetimit të gazit të Republikës së Kroacisë nëpërmjet Bosnje Hercegovinës (në det), Malit të Zi dhe Shqipërisë me sistemin e gazsjellësit Trans Adriatic (Projekti TAP).
Sipas Studimit të Fizibilitetit traseja përfundimtare e projektit IAP ka një gjatësi prej 511 km dhe shpenzimet totale të investimit për zhvillimin e projektit IAP parashikohen në shumën 618 mil. EUR. Po sipas studimit, gjatësia e pjesës së projektit IAP në Shqipëri dhe Malin e Zi është rreth 162 km, ndërsa investimi në total llogaritet në rreth 288 milionë Euro.
Ndërtimi i këtij gazsjellësi transmetimi do të bëjë të mundur gazifikimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, si dhe zgjerimin e sektorit të gazit në Kroacinë jugore dhe Bosnjë e Hercegovina, duke siguruar një furnizim të larmishëm dhe të besueshëm të gazit natyror.
Ky projekt transmetimi per furnizim me gaz natyror parashikohet që të ketë një kapacitet vjetor në rreth 5 miliardë m3 gaz (ose 5 bcm). Llogaritet për 1bcm për Shqipërinë, 0,5 bcm për Malin e Zi, 1 bcm për Bosnje dhe Hercegovinën dhe 2,5 bcm për Kroacinë.
Nga Fieri, Shqipëri, tubacioni shkonne drejtim të veriut duke arriturTiranën, duke vazhduar me tej në drejtim të kufirit me Malin e Zi afërShkodrës. Në kufi, tubacioni kalonlumin Buna dhe shkon në drejtim tëTivarit (Bar). Së fundi, nga Plloce në Kroaci, rruga vazhdon në drejtim tëveri-perëndimit, duke arritur Dugopolje pranë qytetit të Splitit(Kroaci).