Genocidi armen, Hollanda dhe Shqipëria

Nga Ilir Levonja

Sot bota e sulltanit Erdogan është tepër e trazuar. Parlamenti i një vendi të vogël si Hollanda, vendosi me 150 vota pro dhe 3 kundër, njohjen e genocidit armen. Atë që turqit e rinj ushtruan prej prillit 1915 deri në 1920 karshi kulturës, intelektualëve dhe besimit kristian të armenëve. Jo pak por 5 vjet, masakra, reprezalje = mizori. Aq sa kur futesh galerive të kërkimit të fakteve, të ngjethet mishi nga bëmat çnjerëzore dhe mendjet që i ideuan ato. Atë botë Armenia ishte pjesë e perandorisë otomane. Një vend i vogël, me një popullatë prej afro 2 milionë banorë. Nënshtruar dhe inkuadruar brenda perandorisë madje duke kontribuar ashtu si edhe vende të tjera nën ‘të, me intelektualë, krahë punë, rektrutë apo nizamë siç edhe thirreshin ushtarët e rinj. Eshtë një gjenocid i pashoq, për faktin se nuk kurseu as ata armenë që për të përfituar privilegje sociale, më shumë të drejta, më shumë liri, prona dhe armë…, u konvertuan nga katolikë në mysliman. Një stil otoman tashmë i njohur për të gjithë. Madje këta ishin të parët që iu nënshtruan dhunës. Edhe pse jetonin brenda Stambollit dhe kishin kontribute në ndërtimin e perandorisë. Kjo njihet edhe si nata e errët, apo e diela e kuqe e Stambollit (24 prill 1915) kur nga një urdhër i ministrit të brendshëm të kohës Mehmet Telat Pasha nisi tmerri i spastrimit etnik. Familje të tëra armene të dëbuara dhe të dënuara të ecnin në këmbë në shkretëtirën e Mesopotamisë. Kush ndalonte, vritej në vend. Sipas kronikave të kohës, shumë syresh këputeshin në këmbë, shembeshin në rërë të rraskapitur e djegur për një pikë uji. Kufoma që ecnin. Kush kapi pikën e grumbullimit, u masakrua me jataganë e plumba kokës. Nga ky spastrim etnik, Armenia llogaritet të ketë humbur rreth 1 milion e gjysëm njerëz. Dhe ta mendosh që ishte afro tek 2 milion banorë. Nga një rishkrim i fundit del që numri i saktë përkon me shifrën 388 mijë armenë që mbijetuan. Nuk është e vështirë të perceptohet se sa e madhe është gjëma. Dhe se Armenia në raport me popullatën, ka numrin më të madh të martirëve. Një dhimbje që sado njohjes nuk mund ta shuaj asesi lumin e lotëve të nënave armene. Sot bota e qytetëruar e njeh këtë si genocidi i parë në historinë moderne të njerëzimit.

Në fakt vota holandeze ka një rëndësi thelbësore për kohën.

E para një vend demokratik që historinë e kolonizimit e ka marrë mbi vete duke i hapur dyert emigrantëve me shumicë. Madje njihet sot si një model i Amerikës së madhe. Ose si Amerika e vendeve të ulta në bregun lindor të atlantikut.

E dyta si e tillë nuk u nënshtrohet presioneve nga jashtë, në rastin konkret të pallatit presidencial në Ankara. Aq më tepër që në Hollandë jeton e punon një komunitet i madh turk.

Këtë e dëshmoi edhe vjet duke mos i dhënë vizë deri ministrit të jashtëm të Turqisë, i cili për llogari të Erdoganit, kërkonte të bënte tubime e fushatë elektorale në vendin e vogël.

E treta, jo vetëm për gjakun e humbur të armenëve, por stadi i civilizimit të bën sot të mos heshtësh përballë padrejtësisë.

Por që gjithsesi për ne, është një model që stonon në Shqipërinë tonë. Sepse jemi tashmë të pushtuar ekonomikisht nga otomanizmi.

Pak muaj më parë, Shqipëria votoi kundër kërkesës së presidentit të Amerikës në OKB, për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit. Kjo sipas qeverisë, vet atij të parruarit në krye, një votë plotësisht luajale karshi politikës së parlamentit europian. Mirëpo në rastin e genocidit armen njohja nuk mungon. Me një fjalë parlamenti europian e njeh genocidin që Turqia otomane bëri në Armeni. Kurse ne jo… Megjithëse si komb me popullatë afërmendsh të njëllojtë me armenët, me histori të lashtë afërmendsh njëlloj me ta, nuk na e ka ënda.

Nuk na e ka ënda të jemi aleatë të vetvetes. Të popujve me fate të përbashkëta. Vetëm për ca thërrime lëmoshash për ndërtime xhamish dhe aeroporte që ne i quajmë investime.

SHKARKO APP