Gjergj Luca kthehet nga Libia me çmimin: “Njeriut më të veçantë dhe më kreativ”
Nga Albert Vataj
Kush tha se nuk emocionohen nga vlerësimet dhe çmimet edhe ata që luftojnë çdo ditë, që përpiqen pa bujë dhe pa zhurmë, për ta përmirësuar jetën e të tjerëve përmes mundësive, punës dhe vizionit? Edhe ata që janë mësuar të japin më shumë sesa të marrin, e ndiejnë peshën morale të një vlerësimi, sidomos kur ai vjen si njohje e sinqertë për një rrugëtim të gjatë përkushtimi.
Gjergj Luca shpërblehet çdo ditë nga vetë puna që bën, nga përpjekjet e pandërprera për ta fuqizuar Rozafën jo vetëm si kompani, por si një indicie progresi dhe zhvillimi, si një hapësirë punësimi, përgjegjësie sociale dhe mundësish reale për njerëzit. Megjithatë, të marrësh një vlerësim në një vend të largët si Libia, në një realitet që po rindërtohet pas plagëve të luftës, mbetet diçka e veçantë. Aq më tepër kur bëhet fjalë për një privilegj që nuk e ka pasur më parë asnjë sipërmarrës shqiptar.
“U ndjeva i vlerësuar nga vizita ime e fundit në Libi, aty ku rilindja pas lufte kërkon miq dhe investitorë të vërtetë. Në Shqipëri solla me vete shumë respekt dhe dashuri tipike orientale, që të detyron t’i rikthehesh…
Shukrën Libia!”
Kështu shkruan Luca në postimin e tij në rrjetet sociale, ku ka ndarë edhe aktin zyrtar të dorëzimit të çmimit me motivacionin domethënës:
“Njeriut më të veçantë dhe më kreativ, Gjergj Luca.”
Ky vlerësim nuk është thjesht një dekoratë formale, por një forcë besimi, një konfirmim se rruga e zgjedhur ka kuptim dhe se përkushtimi i ndershëm gjen jehonë edhe përtej kufijve. Është një shtysë për të vijuar përpara me të njëjtin seriozitet dhe pasion, sepse vetëm përmes punës, vizionit dhe përkushtimit të vazhdueshëm, e pamundura kthehet në të mundur.
KOHA JONË SONDAZH

