Gjergj Luca: Lamtumirë Fatos Nano, lideri që liberalizoi dhe transformoi PS-në në një parti evropiane

“Lamtumirë Fatos Nano, ike duke lënë pas emrin e mirë si liberal, si qytetar, si danoç politik që e ç’komunistizove veten dhe partinë. Do na mungojë toleranca jote, do na mungojë zgjuarsia jote, do na mungojë jeta jote prej rebeli…”

Me këto fjalë të drejtpërdrejta e të ngrohta, sipërmarrësi Gjergj Luca ka përcjellë homazhin e tij për Fatos Nanon, i cili u nda nga jeta sot, më 31 tetor 2025, në moshën 73-vjeçare, pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk arriti ta mposhtte.
Nuk mund të mungonte zëri i Gjergj Lucës në këtë lamtumirë. Ai që e njohu nga afër, ai që shpesh ka zgjedhur të thotë të vërtetat pa ngurrim, e kujton sot Fatos Nanon si një figurë atipike të politikës shqiptare: një lider që la gjurmë të pashlyeshme në transformimin e së majtës dhe në udhëheqjen e Partisë së Punës drejt modelit modern, evropian të Partisë Socialiste.
Në videomesazhin e publikuar në rrjetet sociale, Luca vlerëson rolin e pamohueshëm që Nano pati në modernizimin e të majtës shqiptare, në futjen e një fryme liberale e qytetare, që në fakt ishte shenja e tij dalluese si njeri dhe si politikan.
Duke u ndalur te ky dimension, Luca shprehet:
“Se ai Ramiz Alia paska qenë burri më i mençur i diktaturës komuniste, sepse zgjodhi një liberal si ty, një burrë demokrat si ty; zgjodhi një njeri që donte të bukurën, që donte muzikën, që donte vesin… Ti transformove të majtën, themelove Partinë Socialiste moderne, duke e bërë një parti të dashur për njerëzit, duke e bërë një forcë që mishëron vlerat evropiane, me të cilat sot dëshmon vizion e besueshmëri në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Evropë.”
Në këtë lamtumirë, Luca nuk flet vetëm për mikun e tij, por për një figurë që, pavarësisht polemikave që e kanë shoqëruar gjatë dekadave, mbetet pjesë e padiskutueshme e historisë politike të Shqipërisë së tranzicionit.
Ai përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjarët, duke kujtuar se Fatos Nano do të mbetet, për ta dhe për shumë shqiptarë, një burrë i madh i historisë së vendit.
I paharruar qoftë kujtimi yt, Fatos Nano.

Albert Vataj

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?