Gjergj Luca prezanton fabrikën e re që do të garantojë furnizim me produktet, “Made in Albania”

Nga Albert Vataj
Gjergj Luca prezanton fabrikën e re që do të garantojë furnizimin e restoranteve dhe hotelerive me produkt Made in Albania, duke konfirmuar edhe një herë filozofinë e tij të punës dhe vizionit: të investosh, të krijosh dhe të ndërtosh të ardhmen në vend që të humbasësh kohën me zhurmën e përditshme.

“Punët e beharit i bëjmë në dimër. Ne te Rozafa përgatitemi qysh tani për sezonin turistik veror 2026. Ndërkohë që disa nga ju hapni profile fallco në rrjetet sociale, ne hapim fabrika të reja. Ju shani, ne punojmë; ju mallkoni, ne investojmë!”, thotë Luca me gjuhën e drejtpërdrejtë që e karakterizon, duke i shoqëruar këto fjalë me pamje konkrete nga punimet që vijojnë në Fish City.
Ky është mesazhi i një sipërmarrësi që e ka ndërtuar emrin mbi punën, jo mbi fjalët. “Ne besojmë te puna dhe te e vërteta”, ky është lajtmotivi që qëndron në themelet e kompanisë “Rozafa” dhe i cili ka orientuar vendimmarrjen e Luca-s si busull e përhershme. Pikërisht kjo filozofi e ka bërë atë një prej përfaqësuesve më të fuqishëm të industrisë ushqimore në Shqipëri, duke dëshmuar se kapacitetet prodhuese vendase jo vetëm janë të afta të konkurrojnë, por edhe të udhëheqin tregun.
Fabrika e re është konceptuar si një qendër moderne për përpunimin dhe përgatitjen e produkteve të destinuara për sezonin turistik të vitit 2026. Qëllimi është i qartë: “Rozafa” të jetë hap para kërkesave të tregut dhe të pozicionohet si gjenerator i fuqishëm i prodhimit dhe furnizimit në sektorin e turizmit. Ky investim është provë se ekonomia shqiptare ka potencialin për të ofruar produkte të standardeve ndërkombëtare, të ndërtuara mbi cilësinë dhe identitetin e markës Made in Albania.
Gjergj Luca garanton se përmes kësaj fabrike do të mundësohet furnizimi i të gjitha restoranteve dhe hotelerive me produktin shqiptar, me një shije që mishëron traditën, cilësinë dhe krenarinë kombëtare. Teknologjia më e avancuar që do të instalohet në këtë impiant është një tjetër tregues i seriozitetit të projektit, duke e ngritur prodhimin vendas në nivelin e kërkesave të tregut global.
Në videomesazhin e tij, Luca shpalos ritmin e punimeve, instalimin e makinerive të specializuara dhe proceset teknike që do të garantojnë një cilësi të lartë dhe të qëndrueshme. Ai përshkruan një proces të ndërlikuar, të harmonizuar me standardet më të larta të sigurisë dhe të freskisë, ku sinkronizimi i temperaturave, përpunimi dhe paketimi krijojnë një produkt final që do të mbajë vulën e shijes shqiptare dhe do të përballet denjësisht me çdo produkt të huaj.
Ky investim nuk është thjesht një fabrikë. Është një deklaratë besimi: se Shqipëria mund, se biznesi shqiptar di të ndërtojë, dhe se e ardhmja e tregut ushqimor mund të ndërtohet mbi prodhimin vendas. Dhe në këtë rrugë, Gjergj Luca është një ndër zërat e parë që po e çon industrinë përpara, me punë, me vizion dhe me rezultat.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?