Gjergj Luca sqaron përmes prononcimit për “Koha Jonë”, mbi akuzat e deputetit të PD-së, Klevis Balliu
Prej disa ditësh në media ka qarkulluar lajmi sipas të cilit policia ka arrestuar Dorian Beun, 46 vjeç, i shpallur në kërkim me vendim të Gjykatës së Posaçme. Ai akuzohet si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal me aktivitet në fushën e tregtimit të lëndëve narkotike.
Ky lajm është komentuar edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili nga oborri i selisë blu e lidhi arrestimin me emrin e sipërmarrësit të njohur, Gjergj Luca.
Në këtë kuadër, redaksia e “Koha Jonë” kontaktoi drejtpërdrejt me biznesmenin Luca, pronarin e kompanisë “Rozafa”, për të marrë sqarimet e tij mbi përfshirjen e emrit të tij në këtë histori.
Luca konfirmon se personi i arrestuar ka qenë një nga anëtarët e Këshillit Drejtues të OMP Durrës Sh.p.k. (Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës), e regjistruar në QKR që prej qershorit 2020. Ai sqaron se i arrestuari nuk është ortak dhe as bashkëpunëtor biznesi i tij, por thjesht një pjesëtar i një strukture drejtimi kolegjial të një organizmi jofitimprurës, në të cilën edhe vetë Luca është përfshirë.
Kujtojme se OMP Durrës Sh.p.k. (Organizata e Menaxhimit të Portit të Peshkimit Durrës) është shoqëria që administron Portin e Ri të Peshkimit në Durrës, duke siguruar mirëmbajtjen e infrastrukturës, shërbimet për flotën peshkatare (ankorim, furnizim, ruajtje dhe përpunim peshku) si dhe respektimin e standardeve higjieno–mjedisore, me qëllim krijimin e kushteve të barabarta dhe efikase për komunitetin e peshkatarëve.
Për të shmangur çdo keqinterpretim, Luca rikujton se: Që nga viti 1991, sipërmarrjet që ai ka drejtuar nuk kanë pasur asnjë ortak. Akuza të tilla që lidhen me persona të tretë janë jo vetëm të pabaza, por edhe të pasakta juridikisht dhe të papranueshme politikisht.
Gjergj Luca ngre zërin duke theksuar se betejat politike nuk duhet të ngatërrohen me sipërmarrjen dhe me njerëzit që krijojnë punësim, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik. Sipas tij, çdo tentativë për të politizuar figura të biznesit është një goditje jo ndaj individit, por ndaj punës së qindra e mijëra punonjësve që mbështeten nga këto sipërmarrje.
Përtej sqarimit zyrtar, Luca reagoi edhe publikisht përmes rrjeteve sociale, duke iu përgjigjur akuzave me një ton ironik e sarkastik. Ai ironizoi faktin se, ndërkohë që në Tiranë shpërndahen “lajme politike”, në Gramsh ai ka ngritur një fabrikë përpunimi peshku, që ka rikthyer jetën dhe mirëqenien në një zonë prej kohësh të harruar.
KOHA JONË SONDAZH

