Gjermeni: Sfida e qeverisë, rigjenerimi total i të gjithë territorit

“Urbanizimi dhe kohezioni social”, ishte tema e një leksioni të hapur organizuar në Fakultetin Ekonomik të Universitetit te Elbasanit, ku ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ka dhënë një orë leksion mbi këtë temë për studentët e këtij fakulteti.

E shoqëruar nga deputetja Evis Kushi, ministrja Gjermeni ka folur rreth rigjenerimit urban këto 24 vitet e fundit, si dhe sfidat më të rëndësishme të qeverisë aktuale. Duke e cilësuar si emergjente zhvillimin e infrastrukturës në zonat rurale, Gjermeni është ndalur tek zhvillimi i infrastrukturës në përgjithësi, duke deklaruar se “synimi për të jetuar në metropol krijoi lagjet “xhep” që nuk është një fenomen shqiptar”, ndërsa shtoi se “planifikimi i mirë urban do t’i japë fund kaosit urban”.

Në vijim, Gjërmeni theksoi se “një nga sfidat e qeverisë dhe Ministrisë që unë përfaqësoj është rigjenerimi total i të gjithë territorit. Ndërsa një nga çështjet më të prekshme është integrimi dhe urbanizimi i zonave urbane e në këtë kuadër Ministria synon të sjellë një fizolofi të re që do të nxisë jetën sociale, ekonomike, kulturore etj”.. Duke iu përgjigjur interesit të mediave në lidhje me prishjet e ndërtimeve pa leje në zonat turistike, Gjermeni tha se “në rast se ka ndërtime pa leje në kundërshtim me ligjin, ato do të prishen për të krijuar hapësira publike për qytetarët. Do të trajtohet me prioritet legalizimi i banesave dhe atyre që përmbushin kushtet dhe standartet e përcaktuara në VKM”. Duke u ndalur tek projektet e filluara në vitin 2014 për qytetet, Gjermeni tha se “ato do të finalizohen nga mbështetja financiare e qeverisë përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, ndërkohë të gjitha projektet e reja që do të kenë njësitë vendore sidomos edhe me realizimin e reformës territoriale, do të gjejnë mbështetje nga FZHR. Ne si qeveri po e shohim këtë mundësi, që me realizimin e reformës territoriale njësitë vendore të kenë mundesi qe planet vendore ekzistuese të rishikohen në bazë të shtrirjes së re që do të ketë reforma e re territoriale dhe të hartohen planet e njësive vendore për njësitë e tjera që nuk kanë pasur plane urbane”.

Përsa i përket lejeve të ndërtimit, Gjermeni theksoi se “kërkesat për leje në zonat e turizmit kanë shkuar në ministritë përkatëse, ndërsa përsa i përket lejeve të banesave me vendimin e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit, është krijuar mundësia që qytetarët që kanë nevojë për banesa individuale mund të marrin leje të ndërtimit”.

SHKARKO APP