Gjiknuri: Bashkëpunim me biznesin për të zbatuar kontratat
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri është takuar me Shoqatat e Investitorëve të Huaj në Shqipëri ku u shpreh se duhet bashkëpunim me biznesin për të garantuar zbatimin e kontratave.
“Sepse e kam thënë është shumë e lehtë të nënshkruash një kontratë, por është shumë e vështirë implementimi i saj, sidomos implementimi i kontratave komplekse që përfshijnë punë civile, marrëdhënie me njerëz, impakte sociale, leje e shumë elementë të tjera, janë shumë të vështira dhe kërkojnë vërtetë vëmendjen e qeverisë.”
Për ministrin Gjiknuri, që një investim të jetë i qëndrueshëm e para duhet të ketë patjetër një treg të qëndrueshëm, por edhe rolin e institucioneve, ndërsa garantoi mbështetje për investitorët.
“Qeveria duhet të bëjë rolin e saj me mbështetje institucionale duke ofruar lehtësira sa herë që mund të ketë konflikte, sa herë që janë gjëra që varen nga qeveria dhe që duhet patjetër të zgjidhen në kohë për të bërë të mundur investimin e huaj të ecë ashtu siç duhet. Kështu që unë po ju flas si Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, do të keni të gjithë mbështetjen time dhe cdo kapacitet që ka ministria që unë drejtoj apo institucionet e varësisë do të vihen në dispozicion që ato kontrata të lidhura kuptohet gjithmonë në bazë të një procesi kompetitiv apo kur ka investime të tilla strategjike, do të keni mbështetjen e institucioneve për të bërë të mundur implementimin e kësaj kontrate,” nënvizoi Gjiknuri.
Në përfundim Gjiknuri u shpreh se krahas investimeve në energji Shqipëria ka mundësi të mëdha për investime edhe në fusha të reja.