Gjiknuri: Liberalizim tregut të energjisë elektrike

Ministria e Energjisë dhe Industrisë organizoi sot një tryezë me përfaqësues të Dhomave të Tregtisë dhe biznesit ku u diskutua mbi liberalizimin e tregut të energjisë elektrike. Të pranishëm ishin përfaqësues nga Enti Rregullator, OSHEE, KESH, OST, Konfindustria, Dhoma Amerikane e Tregtisë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Dhoma Britanike e Tregtisë, Dhoma Turke e Tregtisë dhe Shoqata e Tregtarëve të Energjisë.

Në fjalën e tij, ministri Gjiknuri deklaroi se Operatori i Shpërndarjes së Energjisë i ka planifikuar investimet për të mbështetur procesin e liberalizimit. “Edhe Banka Botërore ka qenë mbështetëse në këtë drejtim dhe dua ta falenderoj sepse edhe ky aktivitet është nën kujdesin dhe nën mbështetjen e tyre”, u shpreh z.Gjiknuri.

Ai tha se synimi i qeverisë është krijimi i një tregu të brendshëm të energjisë dhe më pas edhe një treg bilateral përfshirë Kosovën e më gjërë. Perspektiva është ajo e krijimit të një burse shqiptare të energjisë dhe më tej bashkëpunimi me vendet fqinje. “Jemi duke punuar për kryerjen e përgatitjeve dhe heqjen e të gjitha barrierave duke i dhënë vendit mundësinë që të konkurojë lirisht në një treg të liberalizuar, duke shfrytëzuar avantazhin e burimeve hidrike me kosto të ulët”, nënvizoi ai.

Ministri sqaroi se në qendër të reformës së liberalizimit është dhe liberalizimi i tregut me pakicë drejt zbatimit të reformës më tej edhe në Operatorin e Shpërndarjes.

“Në kushtet e sistemit tonë energjitik, kjo hapje e tregut po bëhet e shkallëzuar, për arsye se për realizimin e tij duhet një sistem elektroenergjitik me karakteristika tekniko-ekonomike të krahasueshme me sistemet e lidhura me ta. Ky proces do mbështetet gjithashtu me investime në Rrjetin e Shpërndarjes me vlerë rreth 100 milion Euro dhe me një infrastrukturë moderne të matjes”, tha z.Gjiknuri.

Sipas tij, liberalizimi nuk është qëllim në vetvete.

“Prioriteti ynë kryesor në këto vite dhe vazhdon që të jetë është rimëkëmbja e sektorit elektroenergjetik. Ishim në një vdekje klinike, nga vdekja klinike trupi është ringjallur, në njëfarë mënyre po fiton shëndetin e nevojshëm. Por akoma nuk është gati për garë, për sprint, siç janë bërë të tjerët. Kjo do të dojë një fazë të caktuar dhe pikërisht të gjithë ne pjesë të sistemit, duhet të marrim kostot e nevojshme por njëkohësisht të paguajnë kontributin e nevojshëm dhe këtu duhet një bashkëpunim”, theksoi Gjiknuri.

Ai bëri thirrje që të mbahet larg demagogjisë politike energjitika pasi është një sfidë për çdo qeveri. “Nuk duam që procesi i liberalizimit të krijojë një kompani rentiere. Pra që merr atë rentën dhe nuk ka eficiencë. Por pikërisht për shkak të liberalizimit dhe presioni do të jetë shumë më i madh në mirëadministrimin e korporatave”, vlerësoi Gjiknuri.

Ministri tha se liberalizimi sjell një përfitim të dyfishtë. “Mirëadministrimi, investimet në rrjet, rritja e sigurisë së furnizimit patjetër do të ulë koston e aksesit. Dhe nesër çdo luhatje të çmimit në tregun ndërkombëtar të energjisë patjetër nuk e dëmton konsumatorin për shkak të tarifave të aksesit më të pranueshme, pasi janë kryer edhe këto investime”, tha ministri.

SHKARKO APP