Gjiknuri: Me rëndësi interkonjeksioni me Maqedoninë
Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri është takuar me homologun e tij maqedoans Driton Kuçi, ku është vlerësuar me rëndësi të veçantë interkonjeksioni me Maqedoninë.
Sipas ministrave, në të dy krahët janë garantuar tashmë mjetet financiare dhe përmes lidhjes së dy vendeve do të ketë mundësi më të mëdha për shkëmbim energjie dhe për bashkëpunim më të thellë në fushën e elektroenergjisë.
“Gjithashtu diskutuam, edhe në lidhje me çështjet e gazit natyror, ecurinë e projektit TAP. Diskutuam për mundësinë e lidhjes së Shqipërisë me Maqedoninë, bashkëpunimi që mund të kemi në këtë fushë apo edhe në fusha të tjera ekonomike. Kuptohet marrëdhëniet mes vendeve tona janë shumë të mira dhe ne shpresojmë që ato të forcohen më shumë ekonomikisht”, u shpreh ministri Gjiknuri.
“Kryesisht objekt i bisedës sonë të përbashkët ishte ndërtimi i interkonjeksionit Manastir-Elbasan, projekt ky i cili do të ndihmojë të krijohet një stabilitet i qëndrueshëm sa i përket furnizimit me energjie elektrike. Do të bisedojmë kryesisht edhe për të ardhmen që të krijojmë një stabilitet ekonomik mes dy vendeve. Projekte të ndryshme sa i takojnë gazit. Do të shkëmbejmë përvojat e dy shteteve tona në këtë drejtim dhe mbi të gjitha do të tentojmë të rrisim bashkëpunim ekonomik edhe me Shqipërinë, por edhe me Kosovën”, tha Kuçi.