Gjiknuri: Po shtohet jetëgjatësia e minierës së Bulqizës

Në seancën e fundit plenare për këtë sezon, Parlamenti miratoi dy projektligje të rëndësishme për sektorin minerar në Shqipëri që kanë të bëjnë me shtyrjen e afatit të koncesionit për koncesionin e minierës së Bulqizës; Fabrikës së Pasurimit Bulqizë, Impiantit të Seleksionimit Klos; Uzinës së Ferrokromit Burrel dhe Uzinës së Ferrokromit në Elbasan.

Gjatë fjalës së tij, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri pohoi se qeveria e re ndërmori një kontroll dhe monitorim intensiv të të gjithë sektorit minerar përfshirë e në veçanti edhe marrëveshjet koncesionare në shfrytëzimin e mineralit të kromit.

“Aktualisht kemi të bëjmë me një koncesion që punëson mbi 1000 persona dhe operon me kapacitet të plotë në sektorin minerar shqiptar, pavarësisht luhatjes së fortë në përkeqësim të çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj situate të pafavorshme, prodhimi i mineralit të kromit në Bulqizë u rrit ndjeshëm. Nëse në vitin 2013 prodhoheshin 268,120 ton krom, në fund të vitit 2015 prodhimi në Bulqizë arriti në 424,486 ton”, nënvizoi Gjiknuri.

Duke shtuar se në përputhje edhe me objektivin e programit të qeverisë për zhvillimin e industrisë përpunuese dhe për krijimin e ciklit të plotë brenda vendit është bërë e mundur që të rritet ndjeshëm prodhimi i ferrokromit.

“Vënia në shfrytëzim e fabrikës së ferrokromit Burrel dhe përpunimi i skorjeve të ferrokromit në Elbasan çoi prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për vitin 2015 në 43,669 ton. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013 niveli i prodhimit të ferrokromit në vend ishte vetëm 24,018 ton”, u shpreh Gjiknuri.

SHKARKO APP