Gjiknuri: Rruga e Lumit të Vlorës po bëhet realitet
Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës për Partinë Socialiste Damian Gjiknuri zhvilloi takime me banorët në fshatrat Kuç, Kallaratë dhe Çoraj ku prezantoi edhe kandidatin për deputet Vullnet Sinaj.
“Ato gjëra që janë bërë këtu për krahinën, nuk janë bërë asnjëherë në këto 25 vjet. Këtu jemi të gjithë dëshmitarë dhe nuk kemi pse të sofistikojmë të folurën, mjafton që njeriu të kthejë kokën prapa dhe ta peshojë çfarë kanë bërë të tjerët më parë për këtë krahinë dhe çfarë ka bërë Kryeministri Edi Rama. Premtimin e madh që dha, e mbajti fjalën. Premtoi që do ta fillojë nga gjëja më e madhe që është Rruga e Lumit sepse ajo është rruga që kjo krahinë e ka kërkuar gati një Shekull”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, gjithçka vjen nga reformat shtetndërtuese të cilat Partia Socialiste i ka pjesë të filofozisë dhe programit të saj qeverisës.
“Nga shteti fillon e gjitha. Po nuk pate shtet të tjerat nuk bëhen. As ato çertifikatat nuk bëhen as këto punë të mira. Edhe reformat në drejtësi do ta japë efektin e saj, do krijojë më shumë siguri për investitorët por do ketë edhe më shumë drejtësi për njerëzit. Administrata do të jetë më e përgjegjshme jo siç është bërë tani, një administratë që copëtohet nga partitë aleate, një seksion e merr njëra dhe njërin tjetra. Fusin duart në tepsi, nuk marrin asnjë përgjegjësi politike, futen në koalicion faturën ja lënë Kryeministrit dhe marrin vetëm përfitimet. Prandaj themi të votohemi të vetëm, të bëjmë marrëveshje të plotë. Ne marrim përsipër se çfarë do të bëjmë ndërsa ju na vlerësoni për katër vjet punë nëse e kemi bërë mirë apo keq por jo me duar të lidhura. Ta kemi timonin për të çuar Shqipërinë përpara”, insistoi Gjiknuri.
Ndërkaq, kandidati Vullnet Sinaj ftoi banorët e këtyre zonave të mos gënjehen nga premtimet e partive të vogla.
“Kujdes nga premtimet dhe gënjeshtrat që ju bëhen nga parti të vogla klienteliste. Nuk mendojnë kurrë për Kuçin dhe Shqipërinë por mendojnë vetëm për votat e tyre, për interesat e tyre politike”, theksoi Sinaj.
Ai më tej u ndal tek vepra e ndërtimit të Rrugës së Lumit të Vlorës dhe përspektivën e saj ekonomike.
“Kam bindjen e madhe se ekonomia e tregut dhe biznesi janë ata që do të hapin fronte pune. Ka shumë nga ne, nga vëllezërit dhe motrat tuaja që janë në emigracion, asnjëri nga ata nuk punon në punë shteti por janë në punë private të sistemuar dhe stabilizuar. Unë ju them se do të jem në mbështetje të çdo iniciative private. Po si do ndodhin iniciativat private?! Kjo rrugë që po bëhet do tu lidhë me bregdetin dhe do ta çojë Kuçin sumë më afër turizmit, do ta çojë Kuçin shumë më afër njerëzve që kanë nevojë për produkte blegtorale dhe bujqësore të zonës sonë”, nënvizoi Sinaj.
Kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli shprehu bindjen se vota e banorëve të këtyre zonave do jetë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën.
“Nuk e besoj kurrë që kuçiotët që ëndërruan një punë e vepër të madhe si Rruga e Lumit të Vlorës, kësaj rradhe mos të dinë të gjejnë arsye dhe të kenë bindjen për të votuar për njeriun e vetëm që punoi, sakrifikoi dhe bëri realitet projektin më të madh e historik të Rrugës së Lumit”, u shpreh Leli.