Gjiknuri: Sektori energjitik sot është fitimprurës

Diskutimi në parlament i marrëveshjes për projektin “Linja unazore, 110 kilovolt në Shqipërinë Jugore”, e financuar me një grant prej 2 milione euro nga qeveria gjermane, ka shkaktuar debate mes palëve për sektorin energjitik në vend, në seancën e sotme të Kuvendit.

Deputetët e opozitës akuzuan qeverinë për afera korruptive në këtë sektor, të cilat, sipas tyre, po dëmtojnë imazhin e turizmit në vend. Po ashtu, opozita pretendoi se humbjet në rrjetin energjitik sot janë shumë më të mëdha.

Në reagimin e tij, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri, tha se sektori energjitik, të cilin e morëm si ‘një gropë e zezë’, sot është një sektor fitimprurës dhe një kapital i shtuar në ndihmë të turizmit dhe ekonomisë shqiptare. Sipas tij, sistemi energjitik shqiptar po performon pozitivisht dhe dëshmi i kësaj është dhe vendimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), i cili do të financojë 280 milionë euro për Koorporatën Elektro- Energjitike Shqiptare (KESH) për ristrukturimin e borxheve të prapambetura, të bartura nga qeverisja e kaluar.

Ministri Gjiknuri shpjegoi se kjo kredi vjen pas monitorimit dhe një studimi të plotë nga institucionet financiare ndërkombëtare, si BB dhe FMN, të cilat e vlerësojnë sistemin energjitik shqiptar me performancë pozitive.

“Pas gjithë asaj situate kaotike dhe borxhesh që e la qeverisja e kaluar, sot sistemi energjitik shqiprtar po jep rezultate dhe të ardhura financiare pozitive”, tha Gjiknuri.

Projekti i linjës unazore 110 kilovolt, presupozon ndërtimin e një linje 110 kv, nga nënstacioni i Babicës në Vlorë në lidhje me nënstacionin 110/20 të Sarandës. Qellimi kryesor i tij eshte procesi i rimëkëmbjes së sektorit të energjisë elektrike; ulje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e humbjeve (teknike dhe joteknike) në sistemin e shpërndarjes; përmirësim i performancës operacionale dhe financiare të OSHEE-së; etj.

SHKARKO APP