Gjin Gjoni: Endri Shabani jo kandidaturë e PD, deputeti ka të drejtë të tërheqë firmën
”Procesi për Avokatin e Popullit ka nisur në një mekanizëm që nuk është i drejtë e ligjor”, thotë deputeti demokrat Gjin Gjoni, pasi Berisha deklaroi se PD do ta bojkotojë procesin. Gjoni theksoi se Partia Socialiste kërkon ta marrë Avokatin e Popullit përmes një mekanizmi që nuk është ligjor. Deputeti demokrat mohoi që të ketë dhënë firmën për Endri Shabanin, për të cilin kryedemokrati deklaroi se ai do të jetë Avokati i ri i Popullit.
”Unë nuk i kam dhënë firmë zotit Shabani jo se unë jam burrë më i mirë se të tjerët. Por problemi është që në momentin e parë për efekt të kandidimit u la një rënie e lirë derisa të shkojë te kandidimi. Në momentin që kalojnë të gjitha fazat u vendos komisioni i ligjeve ka marrë një vendimmarrje e cila është e pasqyruar nëpër verbalin e seancës së komisionit të ligjeve që një deputet nuk mund të firmosë më shumë se një kandidaturë çka e ka konsideruar të gjithë procesin nul vetë Komisioni i Ligjeve. Por nga ana tjetër edhe rregullorja e parlamentit lejon. Partia Demokratike ka mundësi me deputetët që ka të çojë vetëm një kandidaturë, jo dy kandidatura. Nuk mund të çojë ë gjashtë kandidatura sepse nuk është normale që një deputet i cili firmos për një kandidaturë të shkojë në parlament në kundërshtim me atë që parashikon ligji”.
Gjoni solli në vëmendjen zgjedhjen Igli Totozanit, kur PS e propozoi si kandidaturë të vetme. ”Partia Socialiste erdhi me një kandidaturë të vetme, ka ardhur me Igli Totozanin. Tani këtu ka një procedurë dhe një standard. Problemi është shumë i thjeshtë. Në rast se Partia Socialiste do me të vërtetë Avokatin e Popullit t’ia lejë Partisë Demokratike, të çojmë një kandidaturë të vetme”. Sipas Gjonit “mbledhja e firmave për të kandiduar dhe për të shkuar përpara komisionit të ligjeve nuk është e njëjta gjë me kualifikimin që ndodh pas komisionit të ligje. Janë dy procedura”.
KOHA JONË SONDAZH

