Gjithçka Tiranës
Nga Ilir Levonja – Në emër të disa tiranistëve. Jo tironcave, festa pagane e ditës së verës është zhvendosur në kryeqytet. Dhe sot Tirana e shqiptarëve mu duk si ato pejzazhet në malet e Nepalit. Deri pemët e bulevardit me rripa shumëngjyrësh. Aq sa i gjori njeri, pyet veten. Çfarë zotin jemi ne shqiptarët. Paganë, katolikë, ortodoksë, muslimanë suni apo shee.??? Çfarë zotin jemi.? Dhe midis të tjerave ky entuziazëm politik, sportiv. Sikur kemi kapur majat. Ca foto groteske… Sidomos njëra përballë shkallëve të palara të një Universiteti. Të cilin ndër vite ia ndërruan e shqyen disa herë emrin. Duke i zhdukur shkencëtarët me marifetçinjtë e ideollogjisë dhe politikës. Çfarë zotin jemi ne shqiptarët, vërtetë?
Një pyetje tëpër e vështirë përballë paraqitjes sonë prej labirinthi.
Ato rrjetat e tenisit, kaq të përkohëshme. Dhe kaq të vështira për tu instaluar një herë e mirë për fëmijët shqiptarë. Përballë atyre shkallëve kaq zhul moti. Mirëpo ne bëjmë zhurmë. Zhurmë si ngahera. Fusha tenisi e pingpongu. Në krye të sheshit të madh. Me emrin e madh. Atë të Gonxhes së shqiptarëve, nënë Terezës. Megjithëse sfondi, janë ca shkallë të palara të një korpusi që vuan akoma ngrefosjen ideollogjike të tiranistëve. Të një supermeni që natën zihet studiove. Dhe ditën përkëdhel fëmijët.
Një foto flet më shumë se çdo analizë. Se çdo argumentim. Se çdo shfajësim apo sqarim publik, i tiranistit. Një foto zhuli shkallësh. Ajo tregon se sa mizerje është ideollogjia e tiranistëve. Se sa kancer për shoqërinë. Lum kush ka sy dhe e shikon. Lum kush nuk çmendet nga çmenduria e tiranistëve.
Për të larë një palë shkallë mjafton një bubuzhel uji. Që nuk kushton as më shumë e as më pak, njëqidnmijë lekë shqiptare. Të vjetra. Dhe do jo më shumë se 1 orë punë. Por tiranistët nuk kanë kohë për punë. Kanë kohë me bollëk për zhurmë.
Mu kujtua se vite më parë, një miku im i mirë, ra në spital. Shkova për ta shikuar. Pas asaj fryme të mirë shqiptare. Me një kanavoz në dorë. E gjeta mikun jo në shtrat, por në këmbë. Përjashta. I dhuroi spitalit njëqindmijë lekë, bleu zorrën dhe po e shtrinte me një punëtor të lodhur. Pavionit i erdhi uji. Kështu ështl në Shqipërinë e tiranistëve. Pacienti nuk shkon për tu shëruar. Por për të shëruar spitalin.
Dhe tjetra, nuk e di pse ky zell prej të marrësh. Dita e verës…, një festë familje. E misrave të zier, e revanisë me sherbet vende-vende. Dhe e Elbasanit me ballakomue e piknike në natyrë. Kjo është dita e verës. Një festë e izoluar dhe provinciale. Në kuptimin e mirë të fjalës. E verores dy ngjyrëshe në dorën e majtë. Jo festë e tiranistëvë. Lërjani Elbasanit. Ka edhe provinca gjëra të bukura. Ka vlera shumë. Lërjani Elbasanit të shikoni një festë shqiptare.
Dhe jo një festë tribush, si në malet e Nepalit.