Gjosha: Nis kompensimi me fondet e BE për fermerët e dëmtuar nga përmbytjet

Sot në Novoselë u organizua hapja e eventit për kompensimin e fermerëve të dëmtuar nga përmbytjet e shkurtit 2015, në kuadër të projektit “Mbulimi i dëmeve bujqësore dhe ruajtja e kapaciteteve prodhuese, IPA 2013”/ Komponenti 3/ Skema e kompensimit.

Në kuadër të këtij projekti do të përfitojnë rreth 3,529 fermerë përmes fondit direkt të kompensimit si dhe rreth 200 biznese përmes grandeve të investimit me një fond total prej 7.110 mln Euro.

Ministria e Integrimit, ishte pjesë e negociatave nga qeveria shqiptare për të kaluar një pjesë të fondeve IPA-2013 në projektin “Mbulimi i dëmeve bujqësore dhe ruajtja e kapaciteteve prodhuese, IPA 2013”/ Komponenti 3/ Skema e kompensimit.

“Më lejoni të theksoj se zhvillimi rural dhe i bujqësisë në vendin tone, mbetet një nga sektorët prioritarë dhe mbështetja e Bashkimit Europian, ka ardhur duke u rritur nëpërmjet një sërë komponentësh”,tha Ministrja Gjosha në fjalën e saj.

Ajo theksoi edhe se Shqipëria përfiton në këtë sektor, prej Instrumentit të Para Aderimit (IPA), që mbështet vendet kandidate që të përmbushin kriteret e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

IPA përmes komponentit të Zhvillimit Rural (IPARD), i siguron vendeve kandidate të BE-së, asistencë për implementimin e programeve shumëvjeçare, për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit bujqësor dhe zonave rurale si dhe në përgatitjen e tyre për zbatimin e politikave dhe ligjeve të BE-së.

Bashkimi Europian, përmes IPA-s ka parashikuar për sektorin e bujqësisë shqiptare, një fond prej 92 milion euro për mbështetjen e bujqësisë për vitet 2014-2020. Këto fonde, kanë pasur një rritje rritje progresive nga viti në vit.

BE do të ndihmojë Shqipërinë në zhvillimin e një sektori agro-ushqimor efikas, të qëndrueshëm dhe novator, që të jetë konkurrues në tregun e BE-së dhe të ofrojë punësim, përfshirje sociale dhe cilësi jetese për popullsinë rurale.

“Procesi i integrimit nuk është vetëm reforma madhore,për vendin,por ai prek jetën e çdo qytetari. Sot zbret deri te fermeri me i thjeshte, për t’ju rikthyer punën e ngritur me sakrifice dhe shpresën e humbur një vit me pare”, tha ministrja Gjosha.

SHKARKO APP