Gjosha sqaron se pse Meta bëri thirrje për armatosje të popullit
Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e ftuar në emisionin “Këndi i Ekselencës” në News24, komentoi thirrjet e ish-kreut të LSI-së Ilir Meta për armatosje të popullit nëse prekej vota.
“Kjo ka qenë retorikë pas thirrjes së kryeministrit për policinë e shtetit që të marrin pjesë në fushatë për PS. Nuk është çështje falje. Kryeministri duhet të sigurojë votën e lirë të çdo qytetari, që nis me policinë e shtetit, sidomos në ditë fushate ku tensioni është më i madh. Kjo është e jashtëligjshme. Qytetari duhet të vetëmbrohet nëse se mbron shteti,” tha Gjosha.
Ministrja e LSI-së foli edhe për përfshirjen e Metës në fushatë, i cili ka marrë sërish protagonizmin edhe pse nuk është ai kryetari por Petrit Vasili.
“Është anëtari më me eksperiencë në LSI. Ai nuk mund të qëndronte larg të rinjve dhe të rejave për t’u dhënë besimin se ky vend mund të ndryshojë,” u shpreh Gjosha.
Të shumta kanë qenë deklaratat për faktin se koalicionit PS-LSI i erdhi fundi, gjë që e kanë bërë të ditur edhe liderët e partive.
Por, pavarësisht ‘luftës’ së ashpër, akuzave dhe kundërpërgjigjeve, gjithçka mbetet për t’u parë pas 25 qershorit.
Kandidatja për deputete për qarkun e Tiranës, e para në listë, theksoi se tashmë LSI është e fokusuar tek fushata dhe jo tek koalicionet.
“Asnjë nga përfaqësuesit e LSI nuk diskuton për koalicione. Ne jemi të përfshirë në fushatë, nga orët e para të mëngjesit e deri në orët e vona të darkës. Pas zgjedhjeve do të diskutojmë për koalicionin”, tha Gjosha.
/BW