Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën e KLSH për Gjiknurin: S’ka vepër penale dhe as dëm shtetit

Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Kontrollit të Lartë të Shtetit që kishte kërkuar rihapjen e hetimeve për çështjen e CEZ për Ministrin e Energjisë, Damian Gjiknuri dhe avokaten e shtetit Alma Hicka.

KLSH paditi ministrin Gjiknuri dhe zonjën Hocka për dëm 479 mln € shkaktuar shtetit pavarësisht se Prokuroria pushoi hetimet me argumentimin se nuk ka shpërdorim detyre.

Pas pushimit të çështjes nga Prokuroria, KLSH e çoi në Gjykatën e Lartë por trupi gjykues ka deklaruar se nuk ka elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” nga ana e ministrit dhe nuk ka dëm për shtetin shqiptar. Gazetarja Klodiana Lala raportoi se trupi gjykues vendosi ta rrëzojë çështjen dhe tashmë është një kapitull i mbyllur. Në seancë nuk u lexua një vendim i arsyetuar.

Përfaqësuesit e KLSH nuk dhanë një deklaratë për mediat nëse do të ketë reagim apo hapa të mëtejshëm për këtë çështje.

Avokati Maksim Haxhia bëri një argumentim të detajuar në seancë, ndërsa tha se për të nuk legjitimohet KLSH që të bëjë ankime të tilla.

“Në ligj thuhet i pandehuri ose shteti. Gjykata nuk e pranoi kërkesën tonë e gjykoi çështjen në themel dhe arriti në konkluzionin se Prokuroria ka vepruar drejt për mbylljen e çështjes”, tha Haxhia pas vendimit. Si avokatja e shtetit Alma Hicka, ashti edhe ministri Gjiknuri nuk kanë qenë në Gjykatë.

SHKARKO APP