Gjykata e Lezhës jep dënim me vdekje!
Nga Vera Ivanaj
Me indinjatën dhe dhimbjen më të madhe, jo vetëm për këtë formë dënimi, por edhe për pafuqinë time për të qenë e aftë të ndikoj që drejtësia të vihet në vend, për më tepër kur bëhet fjalë për jetën e tim vëllai, dua të bëj publik vendimin e padrejtë dhe aspak njerëzor e ligjor, që gjykata e rrethit Lezhë mori me dt. 13/11/2014, për qytetarin Mark Gjok Ivanaj, për veprën penale: Aksident automobilistik, i ndodhur para 8 vitesh, 14 qershor 2006. Pa dashur të vërtetoj pafajësinë e shoferit, gjë të cilën e kanë dëshmuar shumë dëshmitarë okularë të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi fëmija nuk u aksidentua nga pakujdesia e shoferit, as me gomat e përparme dhe as duke ecur prapa (indietro), por u shty nga shokët e tij gjatë lojës, në pjesën e mesit të kamionit, dua të them, që ky njeri nuk u dënua me burg, por me vdekje.
Mark Ivanaj, prej 14 vitesh është diagnostikuar me Limfoma Malinjë (kancer në lëkurë) dhe kurohet me kimioterapi në Itali gjatë gjithë këtyre viteve. Duhet falënderuar shteti italian dhe mjekët e tij, jo vetëm për shkallën e lartë të profesionalizmit, por mbi të gjitha për humanizmin që kanë treguar, falë kësaj M. Ivanaj është gjallë akoma. Pa dashur të përshkruaj kalvarin e pafundëm e të padrejtë të gjyqeve që janë zhvilluar gjatë këtyre viteve, gjë që ka sjellë përkeqësim të gjendjes shëndetësore të Markut, vendimi që u mor dje në gjykatën e rrethit Lezhë, me gjykatës Z. Ilir Përdeda, nuk ishte i drejtë nga ana ligjore. Marrja e vendimit nga ana e gjykatësit Z. Ilir Përdeda, nuk u mbështet mbi Epikrizën e Mjekëve të specializuar Onkologë, por mbi deklaratën e 2 ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, Z. Fatos Sinani dhe Z. Zija Ismaili, të cilët jo vetëm që nuk janë të specializuar për këtë sëmundje, por pasi u paraqitën në seancë gjyqësore vetëm kur u morën të shoqëruar me policë, pasi munguan disa herë radhazi, dhanë deklaratën më absurde që jo një mjek, por as një student i vitit të parë në mjekësi nuk mund t’ia lejojë vetes ta thotë. Deklarata e Z. Fatos Sinani, ndër të tjera ishte: “E pranojmë që M. Ivanaj vuan nga sëmundja Limfoma Malinjë, por sipas mendimit tonë, qëndrimi i tij në burg, nuk përbën rrezik për jetën dhe ai merr trajtim mjekësor në burg pasi pi amlodipina (Amlodipina është një tablet që merret nga M. Ivanaj për mbajtjen në ekuilibër të presionit të gjakut të cilin shpesh here e ka të lartë dhe jo për sëmundjen në fjalë). As një mjek në botë, nuk mund të marrë përsipër të deklaroje që një sëmundje e tillë nuk është e rrezikshme për jetën, sidomos kur është kancer malinj. Edhe ata persona që mund të vuajnë nga sëmundje të tilla beninje, duhet të jenë nën kontrolle të vazhdueshme, pasi gjithmonë ekziston rreziku i degjenerimit të sëmundjes nga beninjë në malinjë, e aq më tepër kur është malinjë, rreziku është i pranishëm gjithmonë. Në bazë të nenit 478 të Kodit të Procedurës Penale, kur i dënuari, në kushtet e burgut nuk mund të kurohet dhe jeta e tij rrezikohet, sipas këtij neni të ligjit, ai lirohet. Por as edhe në spitalin Onkologjik në Tiranë nuk mund të kurohet, pasi aparatura e duhur për trajtimin e kësaj sëmundjeje nuk disponohet nga ky spital. Kërkuar spitalit Onkologjik edhe nga vetë gjykata e rrethit Lezhë, nëse qytetari Mark Ivanaj mund të kurohet në Shqipëri apo jo, përgjigjja nga spitali, bashkë me epikrizën është kthyer që ai nuk mund të kurohet pranë këtij spitali, e pavarësisht kësaj kjo përgjigje nuk u mor parasysh. Gjithashtu, relacioni i dërguar nga Dr. Silvia Moretti, doktoreshë në spitalin e Karexhit në Firenze, e cila e ndjek trajtimin e sëmundjes së M. Ivanaj prej shumë vitesh, ndër të tjera thotë; që ai duhet të paraqitet pranë këtij spitali çdo 4 muaj, për kontroll të vazhdueshëm, jo vetëm të lëkurës por edhe të organeve të brendshme, pasi rrezikshmëria e kësaj sëmundjeje është e lartë. Ndërkohë që M. Ivanaj prej 6 muajsh është burgosur dhe po kryen dënimin në burgun e Shënkollit në Lezhë, ai nuk ka marrë asnjë lloj trajtimi shëndetësor, kur duhej të ishte paraqitur për kontrollin e radhës që në muajin maj, kohë kur ai është arrestuar.
Mostrajtimi i tij shëndetësor dhe gjendja e rënduar shëndetësore e M. Ivanaj, është konstatuar edhe nga avokati i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Z. Andi Murataj, i cili ka ndjekur nga afër disa seanca gjyqësore të zhvilluara në gjykatën e Lezhës. Prokurori i çështjes Z. Agim Dalipi, pas Epikrizës së ardhur nga spitali Onkologjik i Tiranës, kërkuar nga vetë gjykata e Lezhës, ku përveç shtjellimit të sëmundjes, bëhet e qartë edhe se Mark Ivanaj nuk mund të trajtohet në këtë spital, pasi mungon aparatura e duhur për t’u trajtuar me rrezet RT, mbështeti epikrizën nga mjekët e specializuar onkologë, që nënkupton se M. Ivanaj duhet të marrë menjëherë trajtimin nëpërmjet kimioterapisë në Itali. E pavarësisht kësaj, vendimi u mor duke e shkelur ligjin, që për fatin e keq jo vetëm të Markut, por të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, që kanë provuar në kurriz t’u shkelen me këmbë të drejtat e tyre, qoftë edhe duke i’u kushtuar jetën të afërmve të tyre. Kush ka forcën dhe dëshirën të çinstalojë këtë sistem të korruptuar të drejtësisë (dredhisë dhe poshtërsisë) në Shqipëri? A duhet të merret me seriozitet ndonjëherë, jeta e qytetarëve shqiptarë? A ka diçka më me vlerë se vetë jeta, për të cilën duhet të shqetësohemi më shumë? Kush mban përgjegjësi për jetën e M. Ivanaj nëse atij i ndodh gjë gjatë kohës së qëndrimit në burg? E kemi të freskët lajmin ku Gjykata e Hagës, për arsye shëndetësore, liroi një kriminel lufte që ka vrarë me gjakftohtësi e vetëdije të plotë, me qindra vetë, ndërsa Mark Ivanaj, për një vepër penale aksident automobilistik, gjë që ndodh pa dashje dhe që mund t’i qëllojë kujtdo që nget makinën, dënohet jo me burg, por me vdekje, pasi sëmundja e tij ka avancuar dhe është jashtë kontrollit mjekësor, ku çdo ditë që kalon pa trajtimin shëndetësor që duhej ta kishte marrë muaj më parë, i rrezikon seriozisht jetën.