Gjysmë-nacionalizmi i kombit të lodhur gjerman

 

Futja e Gjermanisë në teatrin aktual të luftës mund të rezultojë një akt i detyruar që e bën për Perëndimin demokratik dhe liberal, ose ndoshta refleksi i një të kaluare që nuk e ka lënë dot pas dhe që paraqet një tjetër Gjermani, të cilën e besonim të zhdukur. E njëjta Gjermani, që zakonisht i fitonte të gjitha betejat, por i humbiste të gjitha luftërat.

 

Nga Stenio Solinas

Një gjysmë dyzine tornadosh, një anije lufte, satelitë zbulimi dhe një avion për furnizime në ajër. Kontributi gjerman për luftën kundër ISIS, nëse do të konfirmohet nga Bundestagu, sado i kufizuar, është, në mënyrën e tij, epokal.

Për Gjermaninë pikësëpari, por edhe për pasojat që mund të ketë mbi Bashkimin Europian. Nëse François Hollande dhe Angela Merkel forcojnë, dhe në një farë mënyre blindojnë boshtin franko-gjerman si motorr shtytës, jo vetëm në ekonomi, të Europës (edhe kontigjenti ushtarak i dërguar nga Berlini në Mali lëviz pikërisht në këtë optikë), atëherë i vënë vendet e tjerë para faktit të kryer. Sigurisht, realitete si Greqia apo si Spanja mbeten gjithësesi skajorë përballë ndërhyrjeve luftarake të ardhshme, por është e qartë se Italia sheh që t’i ngushtohen gjithnjë e më shumë hapësirat për një politikë të jashtme, autonome dhe në interesin kombëtar. Eshtë një tjetër paradoks i një integrimi që, pasi ka ecur vetëm në frontin e zhvillimit, nuk zotëron as një ushtru dhe as një politikë unike kontinentale, dhe bie kështu në nacionalizmin e dikurshëm, aq shumë i dënuar, e megjithatë, po ta shohësh mirë, kaq shumë i gjallë.

Për të kuptuar reflekset e brendshme të vendimit gjerman, mjafton të kujtojmë që, duhej pritur Helmut Kohli, për të dëgjuar që një politikan të shqiptonte në publik fjalën “atdhe”: “Unser Deutsches Vaterland”. Dhe ishin vitet tetëdhjetë.

Eshtë frut i asaj që në Gjermani quhet Vergangenheitsbevältigung, ose më saktë elaborimi i të kaluarës dhe njëkohësisht lënia pas e saj, diçka e gjithëpranishme kjo në jetën e vendit, në programet shkollorë dhe në faqet e treta të gazetave, në radio ashtu si në televizion. E megjithatë, nuk ka ende një rrugë që të mbajë emrin Marlene Dietrich, simbol antinazist i përsosur, interpretuese në versionin kinematografik të “Engjëlli blu”, bazuar në romanin e Heinrich Mannit. Dhe sigurisht, ka 3500 memoriale të gjenocidit në Gjermani, por, mbi të gjithë atë që një herë e një kohë ishte territori i RDGJ, shifra është thjeshtë diçka më shumë se 300. Ndërkohë, për 12 milionë gjermanët në arrati në dimrin e vitit 1945, nga Könisberg, Gdansku, Szczecini, të dëbuar në një eksod të tmerrshëm urie, të ftohti, vdekjeje, ka nisur të flitet prej vetëm pak kohësh, dhe kur këtë gjë e bëri Günter Grassi, atij i përplasën menjëherë në fytyrë të kaluarën e tij në rininë e SS-ëve.

Fakti është që Sonderweg-u, “veçantia gjermane”, ka në vetvete edhe një element të përjashtueshmërisë. Jo vetëm sepse historia e saj kombëtare, e kuptuar si histori identitare, është një seri rëniesh dhe ringritjesh, shembjesh sistematike që pengojnë vazhdimësinë e vetëperceptimit kombëtar. Për të qëndruar në Nëntëqindën e katastrofave ideologjiko-politike, kemi aty rënien e Kaiserreichut në 1918-19, fundin e Vaimarit demokratik të 1932-33, dorëzimin pa kushte të 1945, kolapsin e RDGj në 1989, për të mos folur për një përmbysje kulturore, siç ishte e ashtuquajtura “’68-a gjermane”, ku elementët terroristë, i bëjnë të duken të papërfillshëm vitet italianë të plumbit.

Por kësaj i duhet shtuar, siç e ka parashtruar shumë mirë Marzia Ponso në librin e saj “Një histori e veçantë”, që gjermanët janë i vetmi popull i Europës që kanë marrë pjesë aktivisht “në të dy lëvizjet e mëdha të shekullit XX, kundër demokracisë parlamentare dhe në projektin e shoqërisë civile, atë fashiste dhe atë komuniste”; i vetmi popull që ka eksperimentuar fashizmo-komunizmin-demokracinë liberale brenda të njëjtit territor dhe, në dy rastet e fundit, edhe njëkohësisht madje.

Edhe Angela Merkeli është pjesë, në mënyrën e saj, e veçantisë gjermane. Mishëron etikën e disiplinës, frikën nga inflacioni dhe një patriotizëm pa patos. Kush e ka quajtur “Mutter mutlos – Nëna kurajë – nënvizon paaftësinë për të marrë vendime për shkak të teprimit me analiza, paralizën e politikës kur thellohet prapa rregullave, rregulloreve, sanksioneve. Kur ndodh që të veprojë emocionalisiht, siç ndodhi jo shumë kohë më parë me çështjen e imigrimit, ka qenë një katstrofë.

Sigurisht, Merkeli është pragmatiste, e fortë edhe fizikisht, dhe në mënyrë të pashmangshme të sjell në mendje gjykimin sarkastik të Niçes mbi “thellësinë” gjermane: “Eshtë shpesh herë një ‘tretje’ e rëndë dhe e vonuar. Dhe ashtu si të gjithë të sëmurët kronikë, si të gjithë pesimistët, kanë prirjen drejt komoditetit, kështu gjermani pëlqen “sinqeritetin” dhe “ndershmërinë”: sa “komode” është që të jemi të sinqertë dhe të ndershëm!”

Një patriotizëm pa patos dhe ndoshta i vetmi i mundshëm për një Sonderveg, që e ka paguar me lëkurën e vet, mbi shpirtin e vet, dhe mbi trojet e veta, faturën shumë të kripur të superpatosit patriotik nazist. Por është edhe shenjë e një lodhjeje, si të thuash, biologjike. Gjermania, një gjigand ekonomik, është gjithësesi një gjigand i plakur: më shumë vdesin gjermanë, se sa lindin, një rënie natyrore, thonë demografët. Prej një dekade, Unworth des Jahres, neologjizmi i vitit, i zgjedhur si emblematik nga Shoqëria e Gjuhës Gjermane, luhatet mes Rentnerschwemme “vërshimi i pensionistëve”, dhe Rentnerdemokratie, “demokracia e pensionistëve”, duke kaluar tek  Sozialverträgliches Frühableben, “vdekja  e parakohshme shoqërisht e pajtueshme”, pra frika që pensionistët nuk vendosin që të vdesin.

Kështu, futja e Gjermanisë në teatrin aktual të luftës mund të rezultojë një akt i detyruar që e bën për Perëndimin demokratik dhe liberal, ose ndoshta refleksi i një të kaluare që nuk e ka lënë dot pas dhe që paraqet një tjetër Gjermani, të cilën e besonim të zhdukur. E njëjta Gjermani, që zakonisht i fitonte të gjitha betejat, por i humbiste të gjitha luftërat. /Il Giornale/Bota.al

SHKARKO APP