Grafitet ruse, një vizitë në Berlinin e luftës

 

Grafitet e ushtarëve sovjetikë në muret e Rajshtagut janë kujtimi më i gjallë i Luftës së Dytë Botërore që haset në godinën më të rëndësishme institucionale të Gjermanisë. Edhe pse shumica e tyre janë hequr, pjesa e mbetur tregon ngazëllimin por edhe nderin e fitores në këtë vend nga ushtarët e Armatës së Kuqe. Nga ana tjetër, sjellja institucionale gjermane që nuk i fshiu, tregon emancipimin e madh të një vendi, që i shkaktoi aq shumë të këqija kontinentit tonë në Luftën e Dytë Botërore…

Nga Ben Andoni*

Shkrime të pafundme, vendosur kuturu me një cirilike të rregullt, që mbulojnë mure të tëra në interiorin e Rajshtagut… të shtangin. Kaligrafia e kujdesshme është sigluar nën emrat e ushtarëve të veçantë sovjetikë, që i thurën ato mu këtu më 30 prill të vitit 1945 e tutje. Dhe, kishin të drejtë: Sovjetikët e konsideruan kapjen e ndërtesës, si simbolin e fitores së tyre përfundimtare kundër Gjermanisë naziste dhe Fyhrerit. Për ironi të fatit, pak orë më parë, Hitleri kishte vrarë veten jo shumë minuta larg në bunkerin e vet. Ushtarët që shkruanin gjithçka duke e sharë me libër shtëpie Gjermaninë dhe Hitlerin, nuk e dinin se ai nuk mbajti qoftë edhe një fjalim në këtë ndërtesë. Por nami i tij mjaftonte që ta shanin si t’u vinte.

Organizatorja, që kupton interesin e të gjithëve për Hitlerin na shoqëron drejt një paneli mbushur me pafta në mur, disi të fshehur, ku janë emrat e çdo deputeti në historinë gjermane… dhe befas mu në mes, një e tillë syresh pa emër. Po kjo? Kjo është e Hitlerit, na thotë indiferente. E thotë thjesht si për njeri që ka qenë dhe s’është. Shpërndahemi. Kudo mbishkrime në godinën e rinovuar në dekadat e fundit nga një arkitekt i njohur britanik, që ka bërë çudira në këtë vend. Si i latë gjithë këto?-e pyesim. Histori e gjatë. Ushtarët sapo u futën në Rajshtagun e dëmtuar filluan të linin gjurmët e fitores së tyre. Mëtë durueshmit me thikat e bajonetave, të tjerët me drunjtë e djegur, me të shpejtët meshkumës apo me copat e dhjamit që përdoreshin për hartat etj. Sergei, Ivanov, Alioscha, Pyotr, Boris Victorovich Sapunov, emrat e disave syresh, duket se e kanë pasur si qëllim në vetvete, me durimin e atyre që sot bëjnë selfie. Një arab, që është me grupin tonë, ka zgjatuar shkopin e celularit të vet dhe bën selfie pafund. Nuk di asgjë nga historia e L2B, por selfie nuk e ndan kudo. “Shkarravinat” sllave në mure duket se e qesëndisin. Mundohem t’i përkthej por s’arrij dot. Një djal’ bjellorus m’i shpjegon të gjitha. Disa syresh:“Vdekje për gjermanët” dhe “Morët atë që meritonit, o këlysh qensh «, pastaj emra, destinacione dhe vende. Disa, me sa duket më poetikë, përshkojnë rrugëtimin «Moska-Smolensk-Berlin”. Të duket sikur shfaqen nga zhgjëndrra dhe po i shkruajnë para syve të tu. Gruaja vazhdon…Ka pasur dhe shumë syresh që ishin të mbushura me ofendime por gjermanët e pas Luftës në bashkëpunim me rusët i hoqën. Na thonë se ka mbijetuar vetëm një vulgare në një skaj të Rajshtagut “Unë t’qij Hitlerin në…». Diku lexohet Dzhilkibajev. Një kazakistanas i thotë krenar shokut t’vet. Ja nga Alma-Ata, shikoje! Shpesh hasim me fjalët «Stalingrad» apo «Leningrad». Disa si fraza, ku shpaloset mllef, të tjera si më baroke që tregojnë inkursionin drejt e në zemrën gjermane. Të gjitha bashkë, një tërësi e mbushur, që tërheq më shumë se vetë historia e jashtëzakonshme e Rajshtagut…Dhe, ne që vetëm shohim e shohim.

 

Sfida për t’i mbajtur

Në fakt, historia e Rajshtagut duket sikur është vetë historia e Gjermanisë me ulje-ngritjet dhe ndërprerjet e shumta. Në vitin 1947, me urdhër të komandantit sovjetik, mbishkrimet kanë filluar të censurohen. U eliminuan ato që konsideroheshin si të pahijshme, kurse autoritetet komuniste u kujdesën të mbeteshin shprehjet që haheshin ‹ideologjikisht›. Mllefi ndaj tyre jetoi në dekada ndër shpirtrat e gjermanëve. Shpërtheu në vitin 2002, kur Bundestagu ngriti realisht çështjen e heqjes së mbishkrimeve, por me shumicë votash u refuzua propozimi. Deputeti i Bavarisë, Wolfgang Zeitlmann, i ka etiketuar ato si shkarravina, shpifje dhe i quajti «moralisht fyese». Të tjerë do të thoshin se grafitet ishin një barrë në marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë. Anëtarët e Bundestagut kërkuan për t’i zëvendësuar ato me simbolet kombëtare gjermane për të mos i «hutuar» më vizitorët, që duhet thënë se që pas rregullimit të Rajshtagut numërojnë miliona në vit. Të gjithë duan të shikojnë sferën gjigande në majë. Madje, ata vizitojnë të qetë dhe në kohën që në parlament ka sesione. Shumicën e mbishkrimeve të mbijetuara ciceronia na i shpjegon me një skrupulozitet të gjatë, që e bën disi të lodhshme, por është tejet e sjellshme. Është dashur shumë punë,- na thotë për t’i rregulluar, pasi muret ishin nxirë me kalimin e kohës dhe ato u pastruan me ajër të thatë e të ngjeshur me presion në mënyrë që “ndjenjat e ushtarëve të jenë ashtu si ishin në origjinal për vizitorët e shumtë

Në fakt, njerëzit do të mbeteshin këtu, nëse ideja e arkitektit britanik Norman Foster, që ka udhëhequr rindërtimin e ndërtesës së Parlamentit gjerman, nuk do t’i zhvendoste gjetkë. Në vitin 1999, ai arriti të disenjojë një kupolë të re e të madhe prej qelqi dhe çeliku me diametër 40 metra dhe një lartësi prej 23.5 metrash mbi Rajshtag. 

Me këtë akt, Foster arritur të ruajë pamjen historike të Rajshstag dhe në të njëjtën kohë të krijojë hapësirën e nevojshme ​​për një parlament modern, të hapur krejt për botën e jashtme, por edhe për t’u krijuar atraksion vizitorëve që nuk pushojnë dhe baresin deri në majë. Duket se ka një kuriozitet, për atë që bënë tre ushtarët sovjetikë, duke ngritur flamurin. Po ku ishin vallë ata? Do kesh mundësi ta shikosh vetë, më thotë ciceronia 55-vjeçare. 

 

A duhen apo jo?

Nga grupi ynë më krenari ndjehet rusi Mikhail, që të kujton një burokrat tipik pa atdhe, por gjithsesi lindor të fillimviteve ’90. Rri vetëm dhe të jep një ndjesi derrkuci, që evolucioni e ka bërë me pak përpjekje qenie humane. Ndërrojmë shpesh fjalë, pasi më lodh me ndjenjën e të superfortit. Shqipëria? Se di. Po, ne jemi çliruar vetë. S’keni ardhur fare tek ne. “Ah…good”. E lë dhe më ngjall respekt puna e atyre personaliteteve që e lanë këtë godinë dhe e shndërruan në pikë turistike. Ngjitem i vetëm. Ka pak minuta, që e kam braktisur grupin dhe kam mundësi të përtyp gjithçka nga fillimi, teksa ngjis ngadalë kupolën e Fosterit. Kundërshtarët e grafiteve sllave e konsideruan lënien e tyre si diçka «mazohiste» dhe gati arritën t’ia mbushnin mendjen kancelarit Gerhard Schröder, babai i të cilit ushtar vdiq në rrugën në kthim nga fronti rus në vitin 1944. Ai nuk pranoi. Schröder mbeti një avokat i fortë për të mbajtur grafitet. E admiroj për kurajën. Përpjekjet për t’i mbuluar ai i quajti si lloji i «harresës» që do t’u rëndonte shumë. Rezultati dihet: Falë dhe atyre, Rajshtagu sot është kthyer gati në një vend pelegrinazhi, pa të cilin ti nuk mund të kuptosh Berlinin. Kuptohet se Kulla e madhe e Berlinit mund të ekuilibrojë këtë, por historia e këtij vendi është e mrekullueshme, pasi muret e tij mbartin kujtimet e disa prej njerëzve që bënë Gjermaninë e madhe. Po vallë a e kanë ditur këta ushtarë sovjetikë që gdhendnin, ndërsa poshtë ende vazhdonte lufta, rëndësinë e kësaj godine? Si ja kanë bërë vallë të paditurit?- mu ata që nuk dinin të shkruanin. Ciceronia jonë nuk na lë ta pyesim sepse shpjegon si makinë. I lamë. Pasi këto lloj zgjedhjesh tregojnë disa nga mënyrat në të cilat qeveria gjermane përballet me epokën naziste, na thotë. Dy kolegë nga Amerika Latine nuk rreshtin duke e pyetur për Hitlerin, kurse ajo i përgjigjet thatë, sikur të ketë qenë një njeri fare pa vlerë.

Befas një erë e fortë duket se na përfshin të gjithëve dhe dielli i pakët i Berlinit na bën me shenjë se kaq ishte. Muzgu fillon të bjerë qetësisht. Pak ditë më parë, në Shqipëri kam lënë një debat sipërfaqësor për dosjet dhe të shkuarën, por ne nuk kemi vullnet të merremi me të, sepse kemi turp nga vetja. Mendimi vjen fluturak dhe ikën sërish. Shoqëruesja jonë më duket e tendosur në ruajtjen historike të kujtimeve të vendit të saj. Më duket se ecën në një ekuilibër, ku sikur na thotë s’donin të harronin shumë, por edhe nuk donin ta detyronin publikun për të kujtuar shumë… 

Rajshtagu

I kërkoj leje. Dua të shkoj pak në Harkun e Brandenburgut dhe të kthehem pas në hotel, por madhështia e Rajshtagut më mban ende. Tashti jam poshtë. E shikoj me rekurs. Lufta e Ftohtë e la fizikisht Rajshtagun në Berlinin Perëndimor, por vetëm pak metra tutje nga kufiri i Berlinit Lindor, që në pjesën e pasme në vitin 1961, e mbylli godinën me Muri.. Gjatë bllokadës së Berlinit, që këtu kryebashkiaku i Berlinit, Ernst Reuter mbajti një fjalim të famshëm që përfundoi me “Ihr Völker der Welt, schaut auf diese Stadt!» («Ju popujt e botës, shikoni mbi këtë qytet!»). Për vite, ky pozicion i mrekullueshëm i këtij vendi, atëherë një grumbull gërmadhash nuk i ngjallte më askujt ndonjë gjë. Harresa do thellohej kur më 1949, selia e qeverisë së Gjermanisë Perëndimore kaloi në Bon. Deri më 1956 nuk reshtën mendjet sesi duhej transformuar dhe pasoja ishte shkatërrimi i kupolës së ndërtesës origjinale, e cila ishte dëmtuar qysh prej luftës. Gjermania që i flet italisht një grupi turistësh italianë me theks ua shpjegon fjalë për fjalë. Italianët s’duken aq kuriozë. Dy napolitanë i ankohen njëri-tjetrit se ku do shohin Napolin me Ëolfsburg. Iki.

 Ribashkimi që ndodhi zyrtarisht më 3 tetor 1990, u mbajt në ndërtesën e Reishtag dhe në atë kohë godina mblodhi luftëtarët e bashkimit: kancelarin Helmut Kohl, Presidentin Richard von Ëeizsäcker, ish-kancelarin Willy Brandt dhe shumë personalitete të tjerë. Një ditë më pas, parlamenti i Gjermanisë së bashkuar do të mblidhej me një akt të madh të simbolizmit në ndërtesën e Rajshstag. Anipse, ndërtesa do ketë sërish siklete. Agjencia e ngarkuar me privatizimin e kompanive të Gjermanisë Lindore shtetërore do të fillojë punë në godinë, ku në vitin 1991, shefi i agjencisë, Detlev Rohwedder do të vritet në dhomën e vet nga një terrorist i ekstremit të majtë. Gjermanët e Lindjes e konsiderojnë si vend ku u merren pronat, Perëndimorët si vend që u ka marrë namuzin. Mundohem të iki në Friedrichstraße, ndërkohë që dy “sovjetikët” e grupit seç debatojnë për grafitet. Kuptoj pak dhe më pak më intereson, por ajo që më vjen në mënd është përballja me kujtesën dhe maji i vitit 1945, kohë kur bota u nda nga nazizmi prej përpjekjes së këtyre djemve të rinj, që shkruanin në muret e Rajshtagut historinë e tyre me bajonetë dhe thëngjij. Prill 2015. Pranverë.

*JAVA

SHKARKO APP