Greqi dhe referendumi
Nga Bernd Riegert
Me një referendum që kërkon, qeveria e dështuar greke do që të shkarkojë nga vetja përgjegjësinë për kaosin që e kërcënon vendin. Një plan që deshifrohet lehtë, mendon Bernd Riegert.
A është populli pro apo kundër paketës së financimit të donatorëve ndërkombëtarë, duke përfshirë kërkesat për kursime ose reforma? Kjo është pyetja absurde që do të shtrohet. Por nuk mund të votosh për diçka që nuk ekziston më. Ministrat e Financës së eurozonës, de facto dhe de jure e hoqën nga tryeza propozimin, pasi Greqia i ndërpreu negociatat. Për momentin, Greqia është e vetme dhe po ecën gjithnjë e më shpejt drejt falimentimit shtetëror.
Nëse grekët do ta mbështesin paketën pas një jave, ky hap nuk do të kishte pasoja të menjëhershme. Duhet të hartohej një program krejt i ri ndihmash. Por me kë? Me qeverinë e majtë- radikale të djathtë të kryeministrit Aleksis Cipras, kjo nuk do të funksionojë, sepse para referendumit ajo bën thirrje që të refuzohen kërkesat ndërkombëtare. Një qeveri që nuk i mbështet reformat, me siguri që nuk do t’i vërë ato asnjëherë seriozisht në jetë.
Fiksimi pas pushtetit
Një ‘po’ në referendum do të kërkonte detyrimisht edhe dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të reja. Por duhet pasur frikë se ekipi qeveritar në thelb komunist nuk do ta lëshojë pushtetin. Mirëqenia e popullit, pas gabimeve tragjike të javëve të fundit, qeverisë duket se aq i bën. Me dredhi ajo bëri që negociatat të dështojnë dhe tani fshihet pas referendumit. Popullin, qeveria mund ta kishte pyetur që para disa javësh, jo nën presionin e kërcënimit të falimentimit.
Nëse grekët e refuzojnë pyetjen që u bëhet, atëherë nuk ka më rrugë pas. Marrëdhëniet me donatorët dhe me bashkimin monetar të euros do të ndërpriteshin. Kjo është ajo që do kryeministri. Se përse e do këtë, ky mbetet sekreti i tij. Është krejtësisht e qartë se pa ndihmë nga jashtë Greqia është e destinuar të dështojë financiarisht.
Ministri austriak i Financave, Hans Jörg Schelling është i pari që e thotë: “Dalja nga Eurozona do të vijë”. Shefja e FMN-së, Christine Lagarde duket e dorëzuar. FMN nuk mund ta ndihmojë më Greqinë. Banka Qendrore Europiane (BQE) është ajo që e mban ende Greqinë që të mos mbytet. Për sa kohë ende, kjo do të vendoset ndoshta sot.
Demokraci nuk është vetëm Greqia
Në telefonatën e tij të fundit me kancelaren Angela Merkel, kryeministri i Greqisë, Cipras ka thënë se Greqia ka ende “shumë oksigjen” për të mbijetuar. Ndoshta Greqia mund të mbledhë sërish para, të shpëtojë duke e anashkaluar shkëmbin “30 qershor” dhe t’ia paguajë kredinë FMN-së. Por gjendja e dëshpëruar me këtë nuk do të ndryshohej. Të ardhurat nga taksat kanë rënë, ekonomia po rrudhet. Këtë nuk mund ta ndalojë as referendumi më i bukur.
Në debatin për referendumin në Parlamentin grek nuk u kursyen fyerjet kundër paradhënësve dhe Europës në përgjithësi. Veçanërisht e dhimbshme dhe absurde është kritika se vetëm në Greqi ka demokraci. Të gjitha shtetet e tjera paskan bërë komplot jodemokratik kundër Greqisë. BE përbëhet nga 28 demokraci, të cilat janë treguar solidare me Greqinë jo vetëm pesë vitet e fundit. Për dekada Greqia ka qenë vendi që ka marrë më shumë para neto nga BE.
Me ose pa Europën
Syriza dhe ANEL-i i djathtë as e kanë marrë me qira dhe as e kanë shpikur demokracinë. Borxhet dhe përgjegjësinë financiare nuk mund t’i eliminosh me zgjedhje. Kështu që grekët duhet ta kenë të qartë se në referendum nuk do të vendosin pro ose kundër një programi ndihmash, por për vazhdimin e rrugës së tyre: me Europën ose pa Europën. Askush nuk ka ndërmend t’i poshtërojë grekët, por mund të ndihmosh atë që pranon që ta ndihmojnë./DW