Greqi: Dyndje turistësh nga Kina
Ndërsa Greqia vazhdon të jetë për BE-në fëmijë problematik, kinezët po e zbulojnë këtë vend gjithnjë e më shumë.
Plazhi i Perisas është një nga më të preferuarit në Santorini. Sezoni aty nis që në fillim të majit. Të veçantë plazhin e bën rëra e zezë vullkanike. Mijëra evropianë kalojnë këtu pushimet: mes prillit dhe tetorit. Për dekada me radhë pavarësisht krizave.
Tani atyre u shtohen turistë nga Lindja e Largët, e sidomos nga Kina. Vetëm në vitin 2016, nurmi i tyre qe 150 mijë dhe po rritet me 20 përqind në vit.
Ata qëndrojnë mesatarisht tri ditë: shikojnë, fotografojnë, mahniten. Dhe martohen. Po po martohen. Perëndimi i diellit motivi më i dashur edhe për turistët kinezë. “Këtu është shumë bukur, te ne nuk ka një gjë të tillë. Për ne ky është muaji i mjaltit, për mua ky është një nga vendet më të mira për muajin e mjaltit”, thotë Liu.
Dasma për çiftet kineze
Për t’ua përshtatur kulturën dhe kuzhinën turistëve kinezë Santorini po ndryshon: menytë e ditës janë edhe në kinezisht, dhe shoqërohen nga tingujt të kitarave greke. Fira, kryeqyteti i Santorinit, është i famshëm për pamjen e tij. Për çiftet kineze vendi për t’u martuar. Një ëndërr që e realizojnë duke filuar nga 1.500 euro e lart.
Pothuajse gjithmonë, çiftet vijnë këtu vetëm, thonë Antonia Veskou dhe Dimitra Bratika. Ato janë të specializuara për dasma për çiftet kineze. Shumica duan ende vetëm të bëjnë fotografi të bukura, thonë ato. Por së shpejti, mund të kemi edhe dasma të mëdha kineze, një biznes me përfitim të madh.
“Ata janë shumë të hapur ndaj kulturave të tjera dhe duan të dinë shumë për historinë e Greqisë. Por në disa drejtime janë të mbyllur. P.sh. gjithmonë kërkojnë kuzhinë e tyre, dhe gjatë udhëtimeve që organizojmë ne duan të ndjekin zakonet e tyre”, thotë Antonia Veskou.
Përshtatja me kinezët gjithnjë e më të dukshme
Në të gjithë ishullin ka tani restorante kineze dhe ushqim aziatik. Tendenca në rritje. Turistëve kinezë kjo u pëlqen. Por pronarët e hoteleve dhe restoranteve si Manolis Karamolegos janë në dilemë. Falë turistëve kinezë biznesi në ishull po ecën mirë edhe në muajt e dimrit, thotë ai. Por njëkohësisht ai e sheh se ishulli po ndryshuar prej tyre.
“Si shoqatë dhe sipërmarrës, ne duhet të ruajmë karakteristikat që ofron ky ishull. Ne nuk duhet ta drejtojmë ofertën tonë vetëm tek një grup vizitorësh. Ne duhet të këmbëngulim që nxjerrim në pah atë që na bën të veçantë. Dhe këto janë produktet tona lokale, kultura dhe arkitektura jonë, karakteri ynë.”
1,5 milionë turistë kinezë pritet të vijnë së shpejti çdo vit në Greqi, falë fluturimeve direkte nga Pekini në Athinë. Ndërkohë në Santorini janë rezervuar tashmë të gjithë hotelet për këtë verë.