Greqia në kërkim të një identiteti të ri
Nga Marjana Doda/Është paksa e çuditshme dhe e pabesueshme të mendosh se Greqia e lashtë, Greqia e Perandorisë Bizantine dhe Herakliut, kjo Greqi që i dha kaq shumë njerëzimit, sot të shtrijë dorën e mëshirës. Pikërisht, aty, ku ka zanafillën qytetërimi i hershëm botëror, në Greqinë e artit, kulturës dhe shkencës, në Greqinë e Sokratit, Platonit, Aristotelit e një plejade të tërë filozofësh që i dhanë dritë mendjeve njerëzore, sot shikojmë që “anija e Odiseut” endet për të gjetur shpëtim në brigjet e Egjeut e të Mesdheut.
Pas rënies së Bizantit me 1453 nen pushtimin katër shekullor Osman, ku me 1821 fitoi pavarësinë Greqia, historia e saj dallgëzohet mes Lindjes dhe Perëndimit. Ne periudhën e revolucionit grek kundra osmaneve për pavarësi, tre fuqitë e mëdha, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe vendosen të ndërhynin në konflikt duke dërguar flotat e tyre në Greqi, të cilat më pas pretendonin të kishin rol në politikën greke.
Do të ishte fundi Luftës së i Botërore dhe Konferenca e Paqes në Paris të vitit 1919 që do të bënte që Kryeministri grek Eleftherios Venizellos të shfaqej para fuqive të mëdha si pasardhësi i filozofëve të lashtë për të cilët gjithsekush kishte admirim dhe si i tillë kërkonte të drejtën e kufijve deri të Bizanti i dikurshëm dhe pse bota kishte hyrë në periudhën moderne të saj.
Greqia thuajse i shtriu kufijtë e saj atje, ku pretendonte, dhe pse kërkonte shumë e më shumë, duke qenë pjesë e fituesve, ashtu siç bëri dhe pas Luftës së II Botërore, porse në këtë rast pranoi më shumë të bëhej pjesë e Perëndimit. Dhe kjo kishte një arsye. Pas Luftës, një sërë vendesh u ndodhën nën presionin e zgjidhjes së dy çështjeve të rëndësishme. Së pari, ajo e rimëkëmbjes ekonomike dhe së dyti orientimin e një politikë të jashtme pragmatiste, që me këtë rast përkonte më shumë me Perëndimin si rezultat i aplikimit të Planit Marshall për të rindërtuar Europën e rrënuar. Në funksion të këtij interesi dhe të pozicionimit në krahun e djathtë të Perdes së Hekurt bëri që më1952 Greqia të futet në NATO, duke garantuar kështu siguri për kufijtë e Perëndimit. Megjithatë, lëvizjet majtiste në Greqi çuan vendin në vendosjen e Juntës ushtarake më 1967-ën nga një grup ushtarakesh që e shtypën atë dhe vendosen një diktaturë shtate vjeçare, që me këtë rast kuptohej që ajo e kishte të vështirë të orientohej në Lindje.
Dhe pse Greqia mbeti pjesë e Perëndimit, ky vend për shkak të kaluarës së saj, pozicionit gjeografik, por dhe të lobeve në Europë e jo vetëm, nuk mundi të gjejë vendin e merituar të një vendi lider që duhej të ishte në Ballkan.
Politika e Megali Idea (Idea e Madhe më 1844-ën), ku si trashëgimtare e Bizantit pretendonte të shndërrohej në shtetin më të madh me kryeqytet Stambollin (Kostandinopojën), por dhe për territore me popullsi ortodokse jo greke të Ballkanit që kishin qenë nën Perandorinë Bizantine, bëri që në kohë të ndryshme prej saj të shfaqej shantazhi ndaj fqinjëve si Shqipëria dhe Maqedonia për Epirin e Veriut, por dhe Turqisë për Çështjen e Qipros.
Gjithë kjo reminishencë në kohet moderne e zbehen politikën dhe sidomos politikanët dhe grupimet e ndryshme greke që ende shohin ëndrra të një kohë të perënduar, përpos problemeve që Greqia realisht duhej të përballej dhe të mos përfundonte në krizën më të thellë të saj.
Dështimi i shtetit grek ishte para se gjithash një dështim i sistemit politik. Në Greqi nuk kanë funksionuar parti të politikës moderne të Europës- Perëndimore, ku ajo pretendon të jetë pjesë. Ato u përfaqësuan nga politikane greke të trashëguar nga njëra familje
tek tjetra, si: Venizellos, Papandreu, Karamanlis, Micotaqis etj., që ndër vite e dekada veç shtuan radhët e administratës, të korrupsionit dhe të oligarkive të tyre.
Shembja e “Perdes së Hekurt” në vend që ta shndërronte Greqinë në vendin më të zhvilluar, politikanët grekë e katandisën vendin në një barkë që po i futej uji nga të katër anët. Zhytja në borxhe në miliarda euro në familjen europiane (BE) ku ajo bën pjesë, për të kamur kasta politike e nëpunësish, me blerje armatimesh në shuma të pajustifikuara etj., bëri që vendi të futet në krizë të rrezikshme, aq sa dhe Presidenti i Këshillit të Europes Jean- Claude Juncker para një viti deklaroi: Ndodhën gjëra që nuk i kishim imagjinuar në Greqi.
Megjithatë gjithë ky dështim, përveçse ishte dështim i politikës dhe shtetit grek, i atribuohet dhe vetë BE-së, me në krye Gjermaninë si huadhënia më e madhe, e cila nuk krijoi mekanizma kontrolli që të mund të dinin se ku shkojnë paratë e qytetarëve të tyre. Kriza greke që çoi vendin në duart e kreditorëve të huaj, gjë e cila zhgënjeu shumë grekët, bëri që para një viti të vështrojnë si horizont shpresë të Majten Radikale SIRIZA me në krye Aleksis Tsipras, fitorja e të cilit u konsiderua si “guri kilometrik dramatik në Europë”.
Europa po luhatet të ndihmojë Greqinë. Trojka FMN-BQE-Komisioni Europian, mbikëqyrin reformat dhe negociojnë me qeverinë e Tsipras i cili fitoi zgjedhjet dhe popullaritet me kundërshtimin që i bëri masave shtrënguese të BE-së, deri në kërcënim me dalje nga Eurozona, çka mund ta fusë vendin në një terren të panjohur, por njëkohësisht do të krijojë shumë problem dhe për familjen europiane.
Ky shantazh i tij ngriti në këmbë gjithë Perëndimin për të shpëtuar nga mbytja “të përkëdhelurën” Greqi nga larja e borxheve dhe pse tashmë fjalët e politikanëve grek për ” krenarinë kombëtarë”, “djep i demokracisë” etj., për perëndimorët dukeshin patetike.
Në Greqi tashmë shfaqet në lider me një koncept dhe ambicien që duket se vendit do t’i ofronte një realitet i ri. A thua do të jetë fitorja e Tsipras si e Pirros që u ndesh me një ushtri romake dy herë më të madhe dhe fitoi? Tashmë ai, ndryshe nga paraardhësit e tij ka ngritur flamurin e paqes dhe bashkëpunimit në Lindje e Perëndim.
Tashmë ai po shfaqet sikur Odiseu i kohëve moderne që po e ankoron anije greke kudo që ai mendon se do bëhet mire për grekët e tij, në brigjet e Lindjes ( Rusi) e deri në Lindjen e Largët (Kine). Nuk mund të thuash se pragmatizmi i tij ka më shumë kahje ideologjike majtiste se sa nevojë për të shpëtuar Greqinë që thuajse ka humbur identitetin e saj të vërtetë. A është faji i politikanëve dhe qeveritareve paraardhës që e zhyten vendin në krizën e pashpresë apo e mekanizmave liberale të BE-së që situata iu ka dalë jashtë kontrollit duke harxhuar miliarda euro për të pasuruar oligarki e kasta politike aq sa dhe kjo bashkësi po tregon lodhje dhe humbje besimi (kujto që dhe politikane anglez po duan të dalin prej saj). Ajo çfarë duhet besuar është fakti se, historia e krizave socio- ekonomike nxjerr në pah domosdoshmërinë e zgjidhjes së problemeve të brendshme dhe qëndrimin frutdhënës në politikat e jashtme.
Tsipras duket sikur zgjoi në ndërgjegjen e grekëve filozofinë e paraardhësve të lashtë të tij, thjesht me termin e origjinës se fjalës ” demokraci” (demos- popull dhe kratos- pushtet), i cili dhe krizën për shpëtim ia dedikoi popullit tij tek hodhi kartën për referendum që ti vënë vulën e pushtetit të popullit për zgjidhje të fateve të tij.
Por ajo çfarë u duk “dramatike” në Perëndim ishte shtrirja e dorës për ndihmë e Tsipras në Lindje, më konkretisht në Rusi dhe pikërisht në kulmin e acarimit të marrëdhënieve BE-NATO ( ku Greqia bën pjesë), për çështjet e Ukrainës, e aq më shumë që ai ishte dhe kundra sanksioneve që iu vendosën asaj nga Perëndimi pas konfliktit për Çështjen e Krimesë.
Vizita e Tsipras në prill 2015 në Moskë ishte si një lëkundje e fortë për godinën europiane. Ai doli hapur me tezën se Greqia si shtet sovran ka të drejtë të kishte marrëveshje dhe me shtete jashtë Europës, duke nënkuptuar se ai po dilte jashtë kornizës së saj.
Duke ditur se rivlerësimi i marrëdhënieve me Rusinë kishte rendësi si në aspektin e ndihmës ekonomike për shlyerje borxhesh, por dhe në import -eksportet greke e ruse (çështje e gazit), por dhe në fushën e turizmit që është aq i rëndësishëm për ekonominë greke, Tsipras dhe pse është paraqitur si ateist, ai ruan respektin për pushtetin shpirtëror të popullit të tij.
Një nder urat e miqësisë dhe bashkëpunimit që shfaqet mes popujve është dhe feja, gjë e cila në boshtin ortodoks duket sikur po prevalon çdo ditë e më shumë.
Ndjenja fetare e popullit të tij është shumë e zhvilluar, kjo për shkak të përfaqësimit të Kishës së Lindjes (ortodokse), ku Greqia ka pasur rol vendimtar dhe kjo ndjenje shfaqet mes dy popujve ( rus dhe grek). Në vizitën e tij në Moskë, Putin i dhuroi Tsiprasit ikonën e “St. Nicholas & St.Spiridon” që nazistët kishin marrë gjatë Luftës së Dytë Botërore në Greqi, por dhe vizita e 28 majit e Putin në Malin Athos për nder të 1000 ditëve të murgjve rusë në malin e shenjtë ishte një pakt shpirtëror që tregon se popujt i lidh e shkuara.
Kërkimi i një identiteti dhe realiteti të ri i Greqisë mbi baza pragmatiste dhe sfonde historike ka bërë që ajo të duket sikur po shantazhon familjen e saj europiane, por nevojat e saj gjeo-politike, gjeo-ekonomike ndoshta ia kërkon interesi jetik i saj, përpos interesit gjeo-ushtarak që tashmë po arrijnë kulminacionin e saj gati në “endjen” e një perde të re të luftës së ftohtë që pas shembjes së murit të Berlinit.
Samiti i NATO-s në Tiranë gati e legjitimoi këtë “perde”duke vënë në pah rrezikun e shkëputjes së krahut Juglindor të saj, frenimin e Maqedonisë për t’u bërë pjesë e kësaj aleance dhe të rrezikut se brigjet greke mund të jenë të hapur jo thjesht për turistë rusë.
Ajo çfarë po duket momentalisht është thjesht fakti se, Greqia kërkon të dalë nga kolapsi dhe për të shpëtuar anijen nga mbytja, e Majta Radikale greke me në krye Aleksis Tsipras po e ankoron dhe në Lindje, porse frika se mos rrënjët historike forcojnë dhe ato politike bën të mendosh se ndoshta Greqisë po i mbyllen brigjet në Perëndim.
Ndaj lind pyetja: Greqia, me politika pragmatiste kërkon t’i sigurojë një të ardhme më të mirë popullit grek, apo perdja e dikurshme e Luftës së Ftohtë po afron në brigjet e Egjeut dhe të Mesdheut?