Gruaja në Librazhd kapet me telefon teksa futej në dhomën e fshehtë
Përkundër masave të marra dhe fushatave të ndërgjegjesimit, fenomenit të fotografimit të votës nuk i kanë shpëtuar as këto zgjedhje.
Rasti është shënuar në Librazhd në Qendrën e Votimit Nr.2704 të KZAZ Nr.52, ku një grua është kapur me telefonin në dorë teksa futej në dhomën e fshehtë për të votuar.
“Me datë 25.06.2017 ora 07:30 nga ana e Komisionit të Qëndrës së Votimit Nr.2704 të KZAZ Nr.52 Librazhd i vendosur tek shtëpia e Kulturës kati i parë është kërkuar ndihma e policisë për ndërhyrje. Pas kësaj punonjësit e policisë kanë shkuar menjeherë në qendrën e votimit Nr.2704 me vendim dhe konform rregullave ligjore. Shërbimet e Policisë pasi kanë marrë kontakt me Kryetarin dhe Sekretarin e Komisionit të Qëndrës së votimit dhe pasi kanë marrë vendimin për ndërhyrje, punonjësit e policisë janë futur në qëndrën e votimit dhe janë informuar se kishte patur probleme me proçedurën e votimit me shtetasen V.F, 41 vjeçe banuese në Librazhd, e cila mbante telefonin në dorë në kohën që po futej tek dhoma e fshehtë” informon policia.
Në prezencë të punonjësve të policisë dhe të Komisionit u bënë sqarimet e nevojshme me qytetaren e lartpërmendur, e cila më pas votoi sipas rregullave dhe pa probleme. Komisioni nuk pati probleme dhe kërkesa të tjera.
Proçesi i votimit në këtë qëndër nuk u ndërpre. Me vendim të Komisionit të Qëndrës së Votimit Nr.2704, shërbimet e policisë, u larguan nga qëndra e votimit. Votimi vazhdon normalisht dhe pa probleme.