Gruaja nga Majami lind vetë fëmijën, në mes të uraganit

Uragani Irma ka ‘pushtuar’ gjithë Majamin, erërat e forta gjatë natës, bën që ekipet e shpëtimit të ishin të gjitha në dispozicion. Mediat lokale raportojnë për një sërë personash të shpëtuar prej tyre. Por, një grua shtatzënë nga Majami lindi vetë vajzën, pasi mjekët nuk mund të shkonin në kohë, për shkak të stuhisë.

Nëna shtatzënë telefonoi urgjencën në orët e para të mëngjesit të së dielës, me ndihmën e një mjeku dhe infermiere, të cilët e udhëzonin, ajo lindi vetë në shtëpinë e saj, shkruan dritare.net.

“Ne nuk mund të shkonim, ndaj zonja duhej të lindte vetë. Ajo nxori jashtë edhe placentën, si edhe preu kordonin umbilikal, me ndihmën e mjekut dhe infermieres nga telefoni. Nuk dihet nëse nëna ishte vetëm në shtëpi teksa lindte, apo me njerëz të tjerë. Sapo gjendja ishte më e sigurt për të udhëtuar, mjekët e emergjencës, dërguan në spital mamanë dhe vajzën e saj. Të dyja janë stabël dhe me shëndet të mirë,” tha një zjarrfikës.

Edhe pse të gjitha njësitë e ndihmës janë në dispozicion, autoritet i bëjnë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda, pasi situata vazhdon të jetë e rrezikshme.

Shefi i zjarrfikësve në Majami, Pete Gomez tha se që prej orës 07:00 të së shtunës deri në orën 07:00 të së dielës, ata kanë marrë 430 telefonata. Ekipet ishin në gjendje t’i përgjigjeshin të gjithave deri në mesnatë, më pas duhej të bënin një selektim se cila telefonatë ishte më urgjente.

 

Nga këto 41 telefonata kërkonin ndihmë mjekësore, por u arrit të transportoheshin vetëm 3 persona në spital, përfshirë një fëmijë me temperaturë dhe një burrë i cili po humbiste shumë gjak, pasi u pre shumë në krah, transmeton dritare.net.

Uragani Irma kaloi në Florida Keys në orën 09:00, të së dielës, me një shpejtësi ere prej 130 mph. Stuhia e ngadaltë pritet të ‘pushtojë’ bregdetin perëndimor të Florida, përfshirë Naples, Fort Myers dhe Tampa. Mediat vendase raportojnë se deri tani ka të paktën katër të vdekur nga ky uragan i cili vlerësohet i kategorisë 4.

SHKARKO APP