Grupi i bashkiakëve, “Zhvat e ik”

Nga Zef Shtjefni

U komentua shumë këto ditë tentativa e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha për të dhënë me koncesion, për një periudhë 35 vjeçare, parkingjet e rrugëve të Tiranës.  Disa kolegë e quajtën këtë si një kurth, që po i përgatiste Lulit, Berisha, pasi duke vënë këtë taksë të rëndë mbi qytetarët, do të nxiste zemërimin e tyre në prag të fushatës elektorale. Kështu, pas një shqelmi të pritshëm nga populli i Tiranës në zgjedhjet e ardhshme lokale, Berishës do t’i mjaftonte një maje gishti, për ta shtyrë e hequr qafet dhe për t’u rikthyer vetë në krye të PD-së, ose për të vënë atje dhëndrin, vajzën apo djalin e vet. Unë, në fakt nuk e kam besuar këtë strategji, pasi jam i bindur se Basha nuk ka asnjë nevojë që të shtyhet nga Berisha, për të rënë nga “fiku”, ku vetë e vuri. Kjo, sepse jam i bindur se pa ndihmën, pa përkrahjen dhe pa dëshirën e Berishës, Ai nuk qëndron dot as dhe një muaj si Kryetar i PD-së. Ose më saktë, mendoj se Ai është zgjedhur nga Berisha, sepse është zëdhënësi i tij besnik në PD dhe në Bashkinë e Tiranës. Tani po u bëhet e qartë të dyve se Bashkinë e vjedhur të Kryeqytetit do ta humbin, ashtu siç humbën Qeverinë. Ndaj po përpiqen me gjithë forcat që të ndjekin ritin dhe zakonet e kryetarëve të bashikve dhe komunave në ikje, në gjithë vendin: “të zhvatim çfarë të mundim, meqë po ikim”. A nuk të le këtë shije kjo tentativë e taksimit të çdo cepi toke e ajri, që deshën t’u venë qytetarëve në Tiranë? A nuk të lënë këtë përshtypje ato leje skandaloze për gradaçela 17 katëshe poshtë digës së Liqenit Artificial? A nuk të lënë këto dyshime dy projektet e mëdha, ai i prishjes së stacionit të vetëm të trenit dhe zgjatjes së bulevardit të madh, si dhe projekti i tramit? Këto janë projekte megallomane për forcën e Shqipërisë dhe jo ma të Bashkisë së Tiranës. Por, atje, ku ka shumë, merret me garuzhde e nuk bihet në sy. A nuk ndodhi kështu edhe me Autostradën e Kombit dhe mbase, edhe me Tunelin dhe rrugën e Elbasanit? Na kanë humbur 230 mln euro, thotë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Por, Prokuroria me sa duket akoma as nuk i ka hapur fletët e asaj dosje. Ata që mësohen keq, nuk e harrojnë kurrë vesin. Nuk i thonë kot fjalës: “i mësuari, më keq se i dëshiruari”. Punët e shifrat e vogla mund të mos u hyjnë më në sy. Pastaj ka një kontradiktë e miopi të madhe, sidomos në atë projektin e tramit. Shihni se çfarë i kanë bërë trenit dhe linjave të tij shqiptarët dhe qeveritë e tyre, këto 25 vitet e fundit, në gjithë Shqipërinë. Dhe mendoni se çfarë do t’i kishin bërë për një muaj tramit 150 milionë eurosh, që donte të na ndërtonte Lul Basha në Tiranë, sigurisht me paratë e Qeverisë dhe të popullit. Këto vathet e zhvatjes, parkingjet, që ngjallen aq zemërim tek njerëzit këto ditë, nuk është se kishin të bënin me ndonjë investim të ri. Këtu formula ishte shumë më e thjeshtë: Të fitojmë sa më shumë të gjithë, pa investuar asgjë. Pra, me rrugët dhe sheshet e Partisë së Punës, me hapësirat e ajrin e lënë prej tyre, apo me ato të ndërtuara prej Ramës, o burra të zhvatim sa të mundemi! Pastaj, konçesion për 35 vjet, që e jep një Kryetar, i cili do t’i ketë vetëm dhe 4 muaj prapanicat në atë karrige! Ku e gjejnë vallë këtë kurajo e guxim!? Kush ua jep këtë mundësi abuzimi kaq të rëndë? Sigurisht, pandëshkueshmëria për zhvatjen dhe talljen me pasuritë publike të këtij vendi, që na ka ndodhur gjithë këto vite anarko-demokracie. Nëse do të bëhej fjalë për një koncesion 35 vjeçar, të shoqëruar nga investime të mëdha për parkingje nëntokësore apo ajrore shumëkatëshe, kjo do të ishte gjë tjetër. Por gjithsesi për 35 vite, duhej një miratim tek një organ më i lartë. Po të ishte puna për një konçesion 4 vjeçar pa investime, ku Bashkia do përfitonte 70% apo gjysmën e fitimit, siç veprohet dhe në shumë vende europiane, kjo mund të hante arsye. Por këtu bëhet fjalë për miliona euro që do fitonin vetëm pak persona, pa bërë asnjë investim. Të gjithë aktorët e kësaj zhvatje publike do t’i kenë bërë llogaritë mirë, pasi ishin shifra marramendëse në valle dhe u puqeshin interesat e gjenin çelësin e zgjidhjes në formulën: o burra të zhvatim dhe të ikim! Këtë strategji piratësh të paskrupullt duket se e ka kuptuar mirë Rama dhe Qeveria e tij, që ditën kur vendosi të ndalojë lejet e ndërtimit apo kredimarrjen nga gjithë bashkitë dhe komunat në ikje e vendit. Tashmë dihet botërisht që një leje ndërtimi është bërë biznes luksi i pushtetarëve lokalë në Shqipëri. Rreziku, që ata të lëshoheshin leje ndërtimi mbi çdo park e lulishte të qyteteve tona, na e dëshmon më së miri Lulzim Basha me atë çfarë dëshiron të bëjë poshtë digës së Liqenit Artificial dhe me atë, që ka bërë më lulishten para ish-selisë së PD-së. Shkoni dhe shiheni se si babëzia atje, nuk ka lënë as edhe një m2 të lirë për një tufë lule, por i ka vënë atij ish-parku të bukur një ndërtesë mostër disakatëshe përsipër. Ja, këto vepra po i le Kryeqytetit në këto katër vite të qeverisjes së Tiranës, Lul Basha. Edhe pse nuk i munguan asnjëherë paratë, pasi fondet shtetërore, ndihma dhe buxhetin, të majtët ia kanë miratuar çdo vit pa pengesa, jo siç bënte baca Sali me Edi Ramën, kur ishte Kryetar i kësaj Bashkie. Në atë kohë Saliu, jo vetëm i bllokonte çdo vit buxhetin, por i qonte dhe rruspat për të prishur veprat e bëra, siç ishte kasaphana te rreth rrotullimit i Zogut të Zi, në kundërshtim edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Zhvat e ik, është strategjia e tyre sot. Nuk kishte lidhje me asnjë kurth të Berishës kundër Bashës kjo me parkingjet. Asnjë nga këto punë me kaq para nuk guxon kush t’i bëjë pa lejen e Berishës, paçka se tani, kur pa reagimin popullor, Ai po përpiqet të na mbushë mendjen se ishte kundër Bashës për to. Paçka se vetë Basha po përpiqet të na mbushë mendjen se e anuloi vendimin, sepse dëgjoi shqetësimin e popullit. Është Berisha në krye të Bashkisë së Tiranës dhe te PD-së. Të mos krijojmë asnjë iluzion për këtë. Tani, në prag të humbjes, po bëjnë me paratë dhe punët e Bashkisë, atë që bënë me punët dhe arkën e Qeverisë para katastrofës së qershorit.

 

 

SHKARKO APP