Guri: E kam zgjidhen për të ardhmen, do të luaj në Belgjikë
Sindrit Guri vijon të shkëlqejë, teksa dje ndaj Lushnjës ka dhuruar golin e radhës për Kukësin, duke mbajtur me meritë kryesimin e listës së golashënuesve. Sulmuesi shkodran ishte i ftuar në emisionin ‘Zona Gol’, në Supersport, ku foli jo vetëm për momentin e mirë që po kalon, por edhe për planifikimin e të ardhmes, pasi jemi shumë pranë fundit të sezonit dhe ofertat ndaj Gurit janë të shumta.
“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Lushnja e ka njohur fatin e saj tashmë dhe nuk ka presion kur zbret në fushë. Ata kërkojnë vetëm të argëtohen dhe të marrim më të mirën, por për fat ia dolëm të shënojmë dhe të fitojmë ndeshjen.
E ardhmja? Unë nuk merrem me pjesën e çmimit me thënë të drejtën. Unë jam përqendruar te fusha e lojës, ndërsa pjesa e çmimeve dhe negociatave, i përkasin menaxherit tim dhe klubit të Kukësit.
Është thënë se një klub belg ka ofruar 500 mijë euro për kartonin tuaj dhe një milionë euro pagë për 3 vite kontratë. Sa e vërtetë është kjo?
Është e vërtetë në fakt. Kam pasur disa oferta dhe besoj se kemi gjetur klubin ku do të luaj në të ardhmen. Skuadra që ka bërë ofertën më të mirë për mua, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe atë sportiv, do të jetë ekipi im i ardhshëm. Unë them se e kam bërë zgjidhjen time, por do të flas vetëm pasi të përfundojë gjithçka, pasi tani menaxheri im dhe skuadra që ka bërë ofertën, po negociojnë me klubin e Kukësit.