Guvernatori i ri: Ekonomia vijon të jetë e qëndrueshme

Ekonomia shqiptare vijon që të jetë e qëndrueshme. Një fakt të tillë, e ka lënë të kuptohet dje vetë kreu i ri i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, gjatë raportimit për herë të parë në public pas marrjes së këtij posti mbi gjendjen reale të ekonomisë vendase. Konkretisht, sipas tij, ekonomia shqiptare vlerësohet të ketë shënuar përmirësim gjatë vitit 2014. “Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia u rrit me 1.4% gjatë nëntë muajve të parë të vitit. Pritjet tona janë për ritme më të larta rritjeje në tremujorin e katërt, të mbështetura nga stimuli i fortë fiskal i kësaj periudhe”, argumentoi Sejko. Duke shtuar se dëmet e shkaktuara nga përmbytja në zonën jugore të vendit kanë kërkuar një rishikim të lehtë për poshtë të parashikimeve tona për rritjen ekonomike të vitit 2015. Megjithatë, sipas tij, ndikimi i tyre pritet të jetë i përkohshëm dhe ekonomia projektohet të qëndrojë në një trend rritës në horizontin afatmesëm. Rritja ekonomike e vitit 2015 parashikohet të jetë më e lartë se ajo e vitit të shkuar. “Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të vazhdojë të mbështetet në masën më të madhe nga rritja e sektorit privat, ndërkohë që kërkesa e huaj pritet të ketë një rol të vogël pozitiv dhe shpejtësia e konsolidimit fiskal pritet të vijë në rënie.

Ndonëse në rritje, parashikimet tona sugjerojnë se aktiviteti ekonomik në vend do të mbetet nën nivelin e tij potencial edhe gjatë vitit 2015, duke diktuar një shfrytëzim jo të plotë të kapaciteteve prodhuese. Këto kapacitete të pashfrytëzuara ilustrohen nga nivelet relativisht të larta të papunësisë dhe reflektohen në presione të ulëta për rritjen e pagave dhe të kostove të prodhimit. Paralelisht me to, kërkesa e dobët agregate frenon edhe rritjen e normave të fitimit të biznesit. Në afat të mesëm, përmirësimi i pritur i rritjes ekonomike do të kthejë ekonominë në ekuilibër dhe do të rritë presionet inflacioniste nga ana e kërkesës”, shtoi gjithashtu ai. Duke theksuar edhe faktin se rënia e inflacionit të ushqimeve në muajin dhjetor dhe rritja e tij në muajin janar është ndikuar nga zhvillimet në tregun ndërkombëtar dhe nga ecuria e prodhimit vendas. Paralelisht me to, efekt rënës në inflacion ka dhënë edhe reduktimi i çmimeve të naftës. Ndërsa çmimet e kategorive të tjera të mallrave të konsumit nuk kanë shfaqur ndryshime të rëndësishme. “Rritja e inflacionit në muajin janar ishte në linjë me parashikimet tona, por inflacioni vazhdon të mbetet ende poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë vlerëson se presionet inflacioniste do të vijnë në rritje graduale dhe inflacioni do të kthehet në objektiv brenda periudhës afatmesme. Megjithatë, Banka e Shqipërisë vlerëson se inflacioni do të mbetet nën objektiv për pjesën më të madhe të këtij horizonti kohor”, deklaroi ai.

 

VENDIMI

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë pasi analizoi ecurinë aktuale dhe të pritur të inflacionit dhe të treguesve të tjerë ekonomikë, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin prej 2.0%

 

SHKARKO APP