Guvernatori Sejko pret ambasadorin e ri të Britanisë në Tiranë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi sot një takim zyrtar me ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Duncan Norman MBE. Në ekspozenë e tij, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet financiare në vend, ku nënvizoi se sistemi bankar shqiptar është i kapitalizuar, likuid dhe financiarisht i shëndetshëm.

Sejko u shpreh gjithashtu se institucioni që ai drejton do të vijojë të jetë i angazhuar në përmbushjen e misionit të tij, për qëndrueshmërinë e çmimeve të konsumit dhe stabilitetin financiar të vendit. Gjatë takimit, Guvernatori Sejko u ndal dhe në zhvillimet më të fundit në Eurozonë dhe largimin e Mbretërisë së Bashkuar nga Bashkimi Evropian, dhe analizoi ndikimet që ato kanë në ekonominë shqiptare. Në këtë drejtim, Guvernatori Sejko garantoi se pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë është e gatshme të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për të mbështetur një rritje ekonomike të qëndrueshme. Ndërkaq,

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bankës së Anglisë për ndihmën në shkëmbimin e përvojave dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror. Një vëmendje e veçantë iu kushtua marrëdhënieve të ngushta që ekzistojnë midis dy vendeve dhe forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e edukimit, në fushën e drejtësisë për përmirësimin e kuadrit ligjor, si dhe perspektivat potenciale në të ardhmen. Nga ana e tij, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman MBE, falënderoi Guvernatorin Sejko për këtë takim dhe shprehu vlerësimet e tij për kontributin e rëndësishëm që Banka e Shqipërisë jep në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit.

Në përfundim të takimit, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim për rritjen e mëtejshme të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve kryesisht në fushën e sistemit financiar, si dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

 

SHKARKO APP