Guvernatori Sejko, takim me misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi një takim me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Shqipërinë, të kryesuar nga Nadeem Ilahi.

Ky takim u zhvillua në kuadër të vizitës së radhës që ky mision po kryen në Shqipëri, si pjesë e rishikimit periodik të marrëveshjes 3-vjeçare që qeveria shqiptare ka me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e Fondit me zhvillimet e fundit ekonomike dhe financiare në vend. Ai u ndal veçanërisht në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare: kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike; identifikimin e masave për nxitjen e kreditimit dhe forcimin e stabilitetit financiar.

Guvernatori Sejko theksoi vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të respektuar detyrat e saj ligjore, për të forcuar rolin e mbikëqyrjes bankare; për të rritur më tej transparencën e politikave dhe komunikimin, si dhe për të bashkëpunuar me të gjithë autoritetet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë në adresimin e çështjeve të stabilitetit dhe të zhvillimit ekonomik.

Nga ana e tij, Ilahi ritheksoi rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe financiar në vend, si dhe shpalosi çështjet prioritare, të cilat do të jenë në fokus të këtij rishikimi periodik të marrëveshjes.

Ai shprehu gjithashtu besimin e plotë në profesionalizmin e Bankës së Shqipërisë dhe theksoi gadishmërinë për të asistuar më tej Bankën e Shqipërisë në fushën e zhvillimit të saj institucional.

 

 

 

SHKARKO APP