Hajdari del nga Këshilli Politik: Listat të hapen 100%, ja si të bëhet më pas korrektimi 30%! Tre probleme
Rudina Hajdari doli e para nga mbledhja e Këshillit Politik që po vijon akoma në Pallatin e Kongreseve. Hajdari u shpreh se kërkon që listat të hapen 100% dhe korrektimi në bazë të gjinisë të bëhet më pas në një tjetër skemë.
“I thashë se listat duhet të jenë të hapura 100% dhe më pas mund të përdoret me korrektim në bazë të gjinisë, që qytetarët të votojnë në mënyrë të drejtë, ndërsa në fund mund t’u japim përparësi atyre grave që marrin më shumë vota, duke korrektuar kështu parlamentin me 30%.
Këshilli Politik ka një problem të vetëm, që është se Rama do të mbajë tepsinë i vetëm, Mona që nuk do t’i shqitet Lulit, dhe Luli që do të mbajë vagonin e partiçkave. Shqetësimi im është propozimi për listat e hapura 100% dhe do të kërkoj një qartësim për votën e diasporës, nuk ka qëndrim se cfarë do të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme” tha ajo.
Këshilli Politik është mbledhur për të diskutuar detajet dhe formulën për hapjen e listave dhe koalicionet. Shumica socialiste në fund të korrikut miratoi ndryshimet Kushtetuese për hapjen e listave dhe ndalimin e formulës aktuale të koalicioneve, që kundërshtohet nga opozita jashtë parlamentit.