Hapet fabrika e kromit ne Librazhd

Në Librazhd ka filluar nga puna Fabrika e Pasurimit të Kromit. Faza e parë e investimit ka vlerën e 1.2 milionë euro – investim i kompanisë italiane North Group Mining.
Të pranishëm në ceremoninë e nisjes së punimeve në këtë fabrikë ishin deputeti i Librazhdit Taulant Balla, Ambasadori italian në Shqipëri Alberto Cutillo, Presidenti i Këshillit Rajonal të Friuli-Venezia-Giulia Franco Iacop, Kryetari i Bashkisë Librazhd Kastriot Gurra, si dhe përfaqësues të shumë sipërmarrjeve italiane dhe shqiptare.
Në fjalën e tij, deputeti Balla tha se ky investim do të punësojë vetëm në fazën e parë rreth 100 vetë, një numër ky i konsiderueshëm për qytetin e Librazhit. Ndërkohë që përfaqësuesve të kompanisë u siguroi mbështetjen e qeverisë dhe parlamentit për të çuar më tej këtë investim të rëndësishëm.
Ndërsa kryetari i Bashkisë Librazhd, Kastriot Gurra tha se është rritur numri i investimeve të huaja në Shqipëri, e Librazhdi është një prej bashkive që ka përfituar nga kjo rritje.
Kjo fabrikë do të punësojë në fazën e parë rreth 100 punëtorë, me synimin për t’u zgjeruar edhe më shumë në të ardhmen. Gjithashtu, kompania synon që në të ardhmen të zhvillojë në Përrenjas një impiant për hekur-nikelin.

SHKARKO APP