Hapet segmenti i parë i Bulevardit të Ri
Pas sheshit “Skënderbej’, sot u ndezën dritat e segmentit të parë të Bulevardit të Ri të Tiranës. Në ceremoninë e përurimit që u pasua edhe nga një koncert festiv për mijëra qytetarë, kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësuan projektin e bulevardit si një nga projektet më transformuese për kryeqytetin.
Kryeministri Rama theksoi rëndësinë që ka vota për të sjellë ndryshimin. “Për të gjithë ata që mendojnë se nuk ia vlen të votosh, sepse të gjithë në fund fare janë njësoj, në qoftë se të gjithë do të ishin njësoj dhe në qoftë se vota nuk do të kishte asnjë vlerë, ne nuk do të ishim këtu dhe në vendin tonë do ishin ferrat, plehrat dhe gjithë kafshët dhe insektet e gjora në një gropë të zezë, siç ishte kjo zonë deri kur Tirana vendosi të votojë Erionin dhe deri kur njerëzit, ata që bënë detyrën e tyre duke dhënë gjykimin e tyre, ndërruan drejtimin e Bashkisë së Tiranës. Patjetër që meritat për këtë tjetër vepër fantastike i takojnë Lali Erit dhe ekipit të tij, por Lali Erin si Erion e lindi nëna, ndërsa si kryetar e polli vota. Kështu që, të gjithë ata që thonë se s’ia vlen të shkosh të votosh, se ky muhabet është kot, të gjithë janë njësoj, bëjnë mirë që të hapin sytë dhe të shikojnë se e vërteta është ndryshe”, tha Rama.
Në fjalën e tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj e cilësoi Bulevardin e Ri tregues të ritmeve të shpejta me të cilat po ndryshon kryeqyteti. Ai tha se ndryshe nga dy vite më parë kur gjithçka dukej e pamundur, tashmë ndërtimi edhe i kësaj aorte të re të kryeqytetit është një realitet. “Nga 2011 e deri në shtator 2013, Luli e Saliu patën dy vjet për të bërë realitet këtë projekt. Dhe e dini sa bënë? Më pak se 1%! Në dy vjet me Edi Ramën kryeministër ne kemi realizuar mbi 50% të punimeve! Kemi përfunduar parkimin nëntokësor me 328 vende, kemi përfunduar segmentin e parë me një gjatësi prej 450 metrash me korsi për biçikleta e për makina, por edhe me hapësira për këmbësorë dhe hapësira të gjelbëruara, ku janë mbjellë mbi 300 pemë e më shumë se 250 shkurre dekorative. Deri në fund të vitit që vjen do të kemi përfunduar të gjithë këtë vepër, duke arritur në Lumin e Tiranës, ku Bulevardi do të bashkohet me parkun e Lumit të Tiranës dhe eventualisht me Unazën e Madhe”, tha Veliaj, duke shtuar se kjo zonë ka tashmë potencialin e jashtëzakonshëm për t’u kthyer në një nga lagjet më të bukura të Tiranës.
Veliaj u shpreh se ndihet me fat që ka mundësinë që në çdo moment të ketë ndihmën e pakursyer të kryeministrit Rama. “Jam shumë i privilegjuar që m’u dha pikërisht mua mundësia që ta përkthej vizionin e Edi Ramës në punë konkrete për qytetin dhe të vazhdoj punën për transformimin e Tiranës aty ku e la Edi Rama përpara se bashkia të binte në gjumë. Por ndihem me fat, edhe për faktin që në çdo moment të punës time kam pasur ndihmën e pakursyer të njeriut të cilit qyteti i është borxhli për këtë vizion”, tha ai.
Teksa u shpreh i emocionuar që si kryetar bashkia ka mundësinë që të realizojë këtë projekt të rëndësishëm për të ardhmen e kryeqytetit, Veliaj tha se ky është ndryshimi mes atyre që janë të fokusuar tek puna dhe atyre që duan gjumë. “E kam vrarë shumë mendjen sesi paraardhësi im, që sot kërkon votën për t’u bërë kryeministër, u dorëzua aq shpejt e s’bëri as përpjekjen më të vogël për ta realizuar këtë vepër, apo për të lënë një gjurmë sdo të vogël në Tiranë. Sepse një vepër si kjo është mundësia më e mirë që ka një kryetar bashkie për të lënë një gjurmë në historinë e një qyteti. Që 50 apo 100 vjet nga sot, kur qytetarët të ecin nëpër këto hapësira, t’i kushtojnë një mendim të mirë atyre që punuan e u lodhën për t’i dhënë një projekt të bukur qytetit. Çfarë vlerësimi më të madh mund të ketë për një shërbëtor publik? Ky, miqtë e mi, është ndryshimi mes nesh dhe atyre. Është ndryshimi mes punës dhe gjumit, mes ndërtimit të shtetit dhe shkatërrimit të shtetit. Mes ndjenjës së përgjegjësisë publike dhe gjakimit pas pushtetit për hir të pushtetit”, tha ai.
Kryebashkiaku Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që më 25 qershor të votojnë masivisht për Edi Ramën si kryeministër në mënyrë që të vijojnë investimet. “Besoj e keni dëgjuar barcaletën me atë personazhin që shkonte çdo ditë në kinema për të parë të njëjtin film me gara me kuaj. Dhe vinte çdo herë bast për të njëjtin kalë që gjithmonë humbiste me shpresë se kur të shkonte ta shihte filmin herën tjetër, kali i bastit të tij do të fitonte. Ky është filmi që keni parë shpesh në Shqipëri. Të votosh për Lulin apo për këdo tjetër përveç Edi Ramës dhe Partisë Socialiste në 25 qershor, do të thotë të jesh njëlloj si ky personazhi që e vë gjithmonë bastin tek një kalë që humbet në një film që e kemi parë çdo herë që ka zgjedhje. Kjo do të thotë që të presësh biletë me votë për të njëjtin film me shpresë që ka 25 vjet që e shohim me shpresë që kuajt e ngordhur do të fitojnë më në fund një garë të një filmi që e kemi parë”.
Kreu i Bashkisë deklaroi se për të bërë dallimin mes dy modeleve, mjafton që qytetarët të shohin në fund të bulevardit, aty ku fillon bashkia e Kamzës. “Ju e mbani mend shumë mirë atë që ndodhi me Tiranën kur qeveria qendrore i shpalli luftë bashkisë së drejtuar nga Edi Rama. E mbani mend fatin e mbikalimit tek Zogu i Zi apo fatin e Sheshit “Skënderbej” që u kthye në një kartodrom. Mjafton të hidhni shikimin në fund të bulevardit, aty ku mbaron Tirana dhe fillon Bashkia e Kamzës, për të bërë vetë dallimin mes të dy modeleve të qeverisjes së qytetit”, deklaroi ai.
Duke vlerësuar ritmet e punëve publike të realizuara brenda një kohe të shkurtër, Veliaj tha se kjo ka ndodhur falë mbështetjes së pakursyer të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Veliaj theksoi se Tirana ka nevojë për këtë mbështetje edhe në dy vitet që do të vijnë. “Që puna në Tiranë të mos ndalojë, por të ecë akoma më shpejt sesa në këto dy vjet, që të mos përsëritet më historia e bllokimeve dhe sabotimeve si tek mbikalimi i Zogut të Zi apo Sheshi “Skënderbej”. Që të përfundojmë projektin e Bulevardit të Ri në të gjithë gjatësinë e tij. Që të ndërtojmë shkolla të reja model për Tiranën. Që të përfundojmë Terminalin Perëndimor, Kopshtin Zoologjik e atë Botanik”, tha Veliaj teksa shtoi se Tirana nuk ka më kohë për të humbur sepse ka humbur boll kohë mes bllokimeve të Saliut dhe gjumit të Lulit.
Veliaj shprehu besimin se vota e 25 qershorit është edhe një referendum për Bashkinë e Tiranës për çdo gjë që është bërë në qytet. “Nëse mendoni që Tirana është sot një qytet më i mirë, na jepni mundësinë që të vazhdojmë punën e të bëjmë akoma më shumë në dy vitet e ardhshme duke votuar Numrin 2, Partinë Socialiste dhe Edi Ramën”, tha ai ndërsa ftoi qytetarët që të bashkohen ditën e enjte, në orën 19:00 në Sheshin “Nënë Tereza për të dhënë sëbashku mesazhin e fitores.
Projekti i Bulevardit Verior dhe Parkut Qëndror të Tiranës është një ndër projektet më të rëndësishme strategjike të Bashkisë së Tiranës duke e shndërruar pjesën veriore të kryeqytetit në arterien kryesore të zhvillimit të qytetit për shekullin në vijim.