Haxhinasto: Korridori Adriatik-Jonian dhe ai VIII, pjesë e korridoreve evropiane

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, ndodhet në Bruksel ku po zhvillon takime me përfaqesues të Komisionit Evropian, Drejtorinë e Transportit dhe Drejtorinë e Fqinjësisë, për të diskutuar mbi përcaktimin e rrjetit bazë të korridoreve të transportit në vendin tonë, inisiativë në kuadër të nismës së "Konektiviteti në vendet e Ballkanit Perëndimor", pjesë e procesit të Berlinit të filluar gushtin e vitit 2014.

"Qëllimi i nismës është përcaktimi i korridoreve bazë të transportit në vendet e Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e disa kritereve, pjesë e metodologjisë së provuar Evropiane, kritere si lidhja e kryeqendrave të rajonit, lidhja e zonave ekonomike dhe porteve në rajon. Dy korridoret që u diskutuan sot me përfaqësuesit e Komisionit Evropian, me Jean Erique Paquet dhe të tjerë, ishin ato të Korridorit Veri-Jug, me hyrjen në Hanin e Hotit dhe dalje në Kakavijë, si dhe korridori VIII”, – u shpreh pas takimit ministri Haxhinasto. Gjithashtu, u diskutua dhe nga Ministri Haxhinasto e u mbështet përfshirja e Korridorit VIII-të si pjesë e rrjetit bazë evropian rrugor dhe hekurudhor. “Ky është një hap i rëndësishëm pasi do të na mundësojë thithjen e më shumë investimeve për këto dy korridore, me qëllim përfundimin e tyre brenda 2030", – u shpreh ai.

SHKARKO APP