Haxhinasto: Linja direkte Tiranë-Paris, mundësi për investitorët francezë
Gjatë fjalës së tij, ai parashtroi kushtet dhe garancitë që ofron Shqipëria për rritjen e prezencës se biznesit francez në ekonominë e vendit.
Haxhinasto theksoi se ky shkëmbim duhet të intensifikohet, në kushtet e reja të avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi edhe statusin modern dhe novativ të institucioneve dhe formës së qeverisjes, që çdo ditë e më tepër po merr formë europiane.
Duke vijuar me transportin dhe infrastrukturën, ministri Haxhinasto u shpreh se progresi ka filluar dhe se po synohet drejt unifikimit të standardeve dhe cilësisë në veprat infrastrukturore. Ai paraqiti edhe planet e zhvillimit të rrjeteve të transportit dhe të shërbimeve të tij dhe ftoi kompanitë franceze për të qenë pjesë e këtyre zhvillimeve.
Haxhinasto përmendi zhvillimet në infrastrukturën rrugore, projektet e rritjes së sigurisë e cilësive të rrugëve, konçesionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit dhe të tjera.
Për sektorin hekurudhor, ai paraqiti ftesën për të marrë pjesë në ndërtimin e lidhjes hekurudhore Tiranë– Rinas-Durrës, si dhe rikonstruksionin e lidhjeve ndërkombëtare Durrës-Maqedoni dhe Durrës-Mail i Zi. Më tej, ai foli për mundësitë që ofrohen në sektorin detar dhe atë ajror.
Ai përshëndeti vendosjen e linjës direkte Tiranë-Paris dhe tha se kjo do të jetë edhe një mundësi më shumë për investitorët francezë për të qenë prezent në Shqipëri.