Haxhinasto: Të respektohen afatet e punimeve

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Edmond Haxhinasto, ka inspektuar punimet e projektit për kanalizimet në zonën turistike të Ksamilit.

Ministri tha se ky është një projekt problematik, pasi nuk janë respektuar afatet. Duke shtuar se po punohet bashkë me Bashkinë Sarandë, për gjetjen e një zgjidhje, që të mos dëmtojë bizneset dhe punimet të përfundojnë brenda afatit.

Në këtë kuadër, ai u lëshoi një apel kompanive kontraktore që të respektojnë afatet, përndryshe do përballen me penalitete, deri në heqjen e mundësisë për t’u licencuar.

“Jemi duke inspektuar këtë projekt shumë të rëndësishëm për zonën turistike të Ksamilit, dhe për bregdetin e Sarandës. Është e dukshme që ky projekt paraqet një numër problematikash. Problematika kryesore është ritmi i punimeve, duke patur parasysh edhe sezonin turistik. Nuk është rasti i parë që ka një injorim të afateve nga kompanitë kontraktore, por ky është një moment jo për analizë, por për gjetjen e zgjidhjes për bizneset e zonës që duan që rruga të jetë e shtruar dhe sistemi i ujërave të përdorura të jetë I vendosur, me qëllim që ata të bëjnë aktivitet normal ekonomik dhe të presin sezonin me infrastrukturën e përfunduar.

Në vijim do të marrim një vendim të rëndësishëm bashkë me kryetaren e Bashkisë Sarandë dhe me kompaninë ndërtuese, që do të ndihmojë përfundimin në kohë të veprës, por duke patur parasysh ndjeshmëritë për banorët dhe bizneset. U bëj thirrje gjithë kontraktorëve të tjerë, për gjithë projektet që ekzekutojnë si me financime të huaja apo nga buxheti i shtetit, që të përfundojnë në kohë punimet, të respektojnë detyrimet kontraktore, përndryshe Ministria e Transportit do të jetë shumë e rreptë për vlerësimin e punës së tyre, që do të lidhet me heqjen e mundësisë së liçensimit apo ndalimin e marrjes pjesë në vepra të tjera”, u shpreh Hazhinasto.

SHKARKO APP