Haxhinasto: Tenderi për Rrugën e Kombit në fillim të shkurtit
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto ka qenë sot në Kosovë ku është takuar me homologun e tij Lutfi Zharku. Gjatë këtij takimi Haxhinasto deklaroi se në fillim të shkurtit do të bëhet tenderi për dhënien me koncesion të “Rrugës së Kombit”. Gjithashtu ai tha se brenda muajit mars fillon puna për zgjerimin e rrugës dhe godinës së doganës së Morinës me një vlerë prej 600 mijë dollarësh.
“Brenda marsit fillon puna për zgjerimin e rrugës dhe godinës se doganës së Morinës me vlerë 600 mijë dollarë. Po kështu tenderi për koncensionin e mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit do të bëhet brenda javës së parë të shkurtit. Po bëhet një punë e përbashkët për paketën me lehtësira për bizneset kosovare në portet tona”, ka thënë Haxhinasto.
Ndërkohë Haxhinasto informoi edhe për fillimin e punës për studimin e fizibilitetit për lidhjen hekurudhore me Kosovën si dhe shprehu mbështetjen në aderimin e saj me të drejta të plota në organizatat ndërkombëtare të transportit.
Gjatë këtij takimi edhe Ministri i Infrastrukturës së Kosovës, Lutfi Zharku tha se qeveria e Kosovës është duke menduar që në një të ardhme jo shumë të largët ta jap autostradën e Kombit, “Ibrahim Rugova” me koncesion.
Të dy ministrat kanë shprehur vullnetin për koordinimin e punës në lidhje me marrjen e fondeve për ndërtimin e hekurudhës që lidh dy vendet. Palët në takim u pajtuan që të shikojnë mundësinë për të kthyer sërish në funksion, linjën ajrore Prishtinë-Tiranë. Ndërkohë Haxhinasto ka zhvilluar një takim pa praninë e mediave edhe me kryeministrin Isa Mustafa.