HEC-et e komunizmit duan 224 milionë euro investime

Në kuadër të një plani veprimi për eficiencën e energjisë, Ministria e Energjetikës dhe industrisë ka llogaritur se rivitalizimi i Hidrocentraleve ekzistuese të cilat janë ndërtuar qysh në periudhën e komunizmit kërkon një shumë të re investimesh prej 30.8 miliardë lekësh (224 mln euro).

Rivitalizimi i HEC-eve ekzistuese përfshin zëvendësimin e pajisjeve primare dhe sekondare me synimin për të rritur fuqinë e instaluar, gatishmërinë operative dhe disponueshmërinë e hidrocentraleve. Kjo masë që kërkon shumë kapitale do të rrisë prodhimin e ardhshëm të HEC-eve dhe përmirësojë parametrat e tyre operativë, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve ndihmëse për OST-në që mund të sjellin gjithashtu uljen e humbjeve në rrjet, argumenton MEI.

Aktivitetet e ardhshme: Rivitalizimi i HEC-it të Komanit Kryerja e masës së propozuar kërkon vlerësimin e kushteve aktuale të pajisjeve ekzistuese, primare dhe sekondare, në HEC-in e Komanit dhe kryerjen e të gjitha aktiviteteve të nevojshme për rivitalizimin në faza: projektimi i rikonstruksionit të hidrocentralit dhe kryerja e rinovimit dhe riparimi i pajisjeve ekzistuese, me zëvendësimin e pajisjeve primare dhe sekondare, kur është e nevojshme, (zëvendësimi i mundshëm i rotorit të gjeneratorit shoqëruar me zëvendësimin dhe riparimin e pajisjeve ekzistuese të kontrollit, matjes, mbrojtjes dhe sinjalizimit).

Rivitalizimi i HEC-it të Vaut të Dejës Kryerja e masës së propozuar kërkon të njëjtin grup veprimesh për HEC-in e Vaut të Dejës, siç përshkruhet më lart për HEC- in e Komanit.

Nga rivitalizimi i HEC-it të Komanit rritja e pritshme e prodhimit të energjisë hidrike është 50 GWh/vit, ndërsa nga rivitalizimi i HEC-it të Vaut të Dejës rritja e pritshme e prodhimit të energjisë hidrike në HEC-in e Vaut të Dejës është 20 GWh/vit.

Pak ditë më parë, Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri njoftoi se në kaskadën e HEC-ve në lumin deri më tani janë shpenzuar 9.5 miliardë lekë. Ndërsa vetëm për HEC Vau Dejës, gjatë 3 viteve të fundit investimet arrijnë vlerën 1,9 miliardë lek.

SHKARKO APP