HEC-i i Moglicës gati prodhimin e energjisë në 2019-ën – Rama e Gjiknuri inspektojnë punimet

HEC-i i Moglicës, një nga dy hidrocentralet e kaskadës së Devollit, në 2019 do të hedhë në rrjet energjinë e prodhuar, duke përforcuar kapacitetet prodhuese në vend.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri kanë inspektuar punimet, të cilat sipas drejtuesve të kompanisë janë brenda parashikimeve.

“Do të fillojmë me mbushjen e digës vitin tjetër, në 2018 dhe do të shkojmë më tej me prodhimin gjatë pranverës së vitit 2019 dhe në fund të vitit 2019 do të përfundojë gjithçka,” – u shpreh një nga drejtuesit e Statkraft.

Me kapacitet të instaluar 256 MW, HEC-i i Moglicës rrit kapacitetet prodhuese të energjisë në vend me 700 GWh dhe e gjithë kaskada e Devollit do të rrisë me 17% furnizimin me energji. Për herë të parë, diga e Moglicës do të lidhet me centralin e prodhimit nëpërmjet një tuneli 11 km të gjatë, i cili do të ndërtohet brenda në shkëmb.

Po ashtu, me një lartësi prej 160 metrash, diga e Moglicës është një ndër digat më të lartë në botë në llojin e saj.

“Është një ndër më të lartët në llojin e tij. Mendoj se është vetëm një në Kinë që është pak më e lartë, por është thuajse e njëjta. Është një ndërtim unikal dhe shumë i madh,” – theksoi një nga inxhinierët zbatues.

Për ndërtimin e kësaj vepre aktualisht janë angazhuar rreth 1400 punonjës. Përveç investimit në veprën energjetike, kompania ka investuar 60 milionë euro në infrastrukturën rrugore, duke iu ardhur në ndihmë banorëve të zonës së Devollit.

SHKARKO APP