Hekurudhat në pikë të hallit, bien të ardhurat, 4 milionë euro humbje

Hekurudhat Shqiptare sh.a., që është edhe enti publik që menaxhon pjesën e hekurudhave në gjithë vendin, prej vitesh nuk po kalon ditët më të mira në aspektin financiar. Përpos një rrjeti hekurudhor të degraduar që ka nevojë të paktën 200 milionë euro për ta risjellë në parametra optimalë kjo kompani publike po has edhe një rënie të të ardhurave dhe vijon të rezultojë me humbje të larta.

Në fund të vitit 2016, të ardhurat e Hekurudhës ishin në total 564 milionë lekë, (të ardhurat e shfrytëzimit plus të tjera), apo rreth 4.1 milionë euro, me një rënie prej 27% në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Për shkak të vjetrimit të tejskajshëm të mjeteve, kompania ka një normë mjaft të lartë amortizimi, teksa zhvlerësimi i aktiveve afatgjata ishte 525 milionë lekë, pothuajse sa të ardhurat.

Duke i shtuar amortizimit të lartë edhe shpenzimet e personelit prej rreth 400 milionë lekësh (plus 27 milionë lekë shpenzime financiare), kjo ka bërë që kompania të rezultojë me humbje të mëdha, në 538 milionë lekë në vitin 2016 (rreth 4 milionë euro). Megjithatë, për shkak të reduktimit të shpenzimeve të personelit dhe rënies fortë të shpenzimeve për interesa, humbjet janë ulur me 32 për qind.

Aktualisht Hekurudhat shqiptare konsiderohen një “gropë e zezë” në buxhet pasi subvencionohet pothuajse çdo vit. Prej vitesh ajo rezulton me humbje të mëdha dhe humbjet e akumuluara në kapitalin e kompanisë ishin 4.6 miliardë lekë, apo rreth 33 milionë euro.

Një nga planet e lakuara ishte ai i dhënies me koncesion të disa pjesëve të kësaj hekurudhe, por kjo deri më tani është bërë e mundur vetëm për dy linja shumë të shkurtra, si Fier-Ballsh dhe Fier-Vlorë, që menaxhohet nga kompania Albstar, për një vlerë investimi 20 milionë dollarë.

Të dhënat e INSTAT për muajin korrik 2017 tregojnë se përmes hekurudhës janë transportuar mbi 90 mijë ton mallra, kurse si numër pasagjerësh nga janari në korrik kemi një shifër mbi 40 mijë, por që në raport me një vit në parë ka ulje me rreth 50 %./monitor/

 

 

SHKARKO APP