Heqja e monumenteve të konfederatës
Tubimi i nacionalistëve të bardhë që u mbajt muajin e kaluar në Sharlotsvill të Virxhinias, rigjallëroi në shumë shtete amerikane debatin për heqjen e monumenteve të Luftës Civile. Për disa, këto monumente simbolizojnë një pjesë të historisë amerikane, ndërsa për të tjerë janë një kujtesë e përhershme e supremacisë së bardhë.
Gjatë një proteste të dhunshme të nacionalistëve të bardhë kundër heqjes së planifikuar të statujës së një gjenerali të konfederatës, 1 person humbi jetën dhe 19 të tjerë u plagosën. Pas kësaj dhune, edhe qytete të tjera vendosën të heqin monumentet e konfederatës:
“Më shumë njerëz po i vështrojnë këto monumente dhe përkujtimore duke u përballur në njëfarë mënyre me realitetin e krijimit të një entiteti të pavarur që mbante skllevër”, thotë historiani Kevin Levin.
Një banor i Virxhinias nuk është dakord me këtë këndvështrim.
“Nuk ka të bëjë fare me racizmin. Ishte lufta civile”, thotë Ernie Williams.
Historiani Levin thotë se mbetet për t’u vendosur nga komunitetet se si do veprojnë me monumentet:
“Në periudhën kur u vendosën pjesa më e madhe e tyre, në periudhën 1890 – 1940, ishin vetëm komunitete të bardha që u përfshinë në proces në qytetet e jugut”, thotë zoti Levin.
Ndërkohë debati vazhdon me tone të larta nga të gjitha palët:
“Mendoj se duhen hequr statujat e konfederatës. Lufta u fitua nga unioni. Pra, rebelët duhen lënë në koshin e historisë”, mendon Bruce Andersen.
“Nëse hiqen statujat, brezi i ri nuk do të ketë konceptin e asaj që përfaqësojmë dhe për vuajtjet që kemi hequr”, thotë Thomas Arzu.
“Por, çfarë na shtyn të sillemi në mënyrë raciste dhe të urrejmë… Heqja apo ngritja e monumenteve nuk do të na ndryshojnë përbrenda”, thotë Loretta Turner.
Sipas një studimi të “Southern Poverty Law Center”, përllogariten rreth 1500 simbole të konfederatës, ndër to edhe 700 monumente dhe statuja.
Javën e kaluar, Katedralja Kombëtare e Uashingtonit hoqi xhamat e pikturuar të dritareve ku paraqiteshin gjeneralët e konfederatës, Robert E. Lee dhe Thomas “Stonewall” Jackson:
“Jemi përpjekur të përballemi me çështjet që janë në epiqendër të këtyre monumenteve, si raca dhe skllavëria”, thotë kreu i katedrales, Randolph Hollerith.
Kritikët thonë se të heqësh monumentet është njëlloj sikur të fshish historinë. Gjatë disa mesazheve në Twitter, Presidenti Donald Trump u shpreh se “…nuk mund të ndryshosh historinë, por mund të mësosh prej saj. Robert E. Lee, Stonewall Jakcson. Kush e ka radhën më pas, Uashingtoni, Jeffersoni? Është një budallallëk.”
Këtë javë, Kongresi, në godinën e të cilit ndodhen 10 statuja personalitetesh jugore të lidhur me konfederatën, miratoi një rezolutë ku dënohen supremacistët e bardhë, neo-nazistët dhe grupimet e tjera të urrejtjes.
/VOA