Heqja e vizave, sot grupi i parë me turistë nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani
Grupi i parë i turistëve nga Ukraina, Rusia, Bjellorusia dhe Kazakistani mberrin sot në Rinas me avion charter me synim njohjen e Shqipërisë turistike.
Sipas njoftimit nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, charteri i kompanisë ukrainase “Feeria’ do të ulet çdo ditë në Rinas duke nisur nga sot, deri në 28 shtator me grupe turistësh nga këto vende.
“Kjo është një nismë në kuadër të planit të masave për sezonin turistik 2015, me qëllim lehtësimin e hyrjes në Shqipëri të turistëve nga vende, të cilat kanë shprehur interes për turizmin shqiptar”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Ministrave, më datë 10 qershor miratoi vendimin për të hyrë pa viza shtetas nga shtetet si, Arabia Saudite, Katari, Omani, Bahreini, Rusia, Gjeorgjia, Bjellorusia gjatë sezonit turistik 1 qershor-1 nëntor 2015. Këto shtete i shtohen listës së vendeve që qeveria shqiptare ka miratuar për këtë qëllim me vendimin “Për një Shtesë në Vendimin Nr.513, Datë 13.6.2013, “Për Përcaktimin e Kritereve, të Procedurave e të Dokumentacionit për Hyrjen, Qëndrimin dhe Trajtimin e të Huajve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.