Dhërmiu, “Paste Magazine”: Ndër 7 plazhet e fshehura të Ballkanit

Pas çdo artikulli që revista prestigjioze amerikane i ka kushtuar Ballkanit dhe në veçanti Shqipërisë, kemi cituar fjalët “të paeksploruara” apo “mbresëlënëse”. Pas ciklit të shkrimeve që gazetarja Bridget Nurre Jennions ka bërë për “Ballkani që të lë pa frymë”, vjen një tjetër artikull në këtë revistë. Kësaj here, listohet Dhërmiu si një ndër plazhet e fshehura të Ballkanit.

“Oazi europian i ëndrrave verore ekziston. Pak më tutje, gadishulli i Ballkanit është shtëpia e disa prej plazheve më të bukura të kontinentit: të pastra, të lehta për t’u aksesuar dhe larg turmave.”- shkruan gazetarja.

Dhërmiu listohet në mesin e plazheve të tjera si: Krapets në Bullgari, Przno në Mal të Zi, Nin në Kroaci, Vadu në Rumani dhe Murici në Mal të Zi.

Për plazhin që shtrihet në brigjet joniane të vendit tonë, artikulli shkruan se Drymades është një ndër shembujt se si Shqipëria ka nisur të tërheqë ndërkombëtarë.

“Ndonëse plazhet janë të mbuluara kryesisht me gurë të bardhë, ata takohen me ujin e shkëlqyeshëm blu të detit Jon për të krijuar një efekt shkëlqyes. Zona e Dhërmiut, në veçanti të lë pa frymë, ndërsa rrethohet nga kodra të gjelbëruara. Drymades është një ndër më të preferuarat e zonës”, përfundon përshkrimi për plazhin tonë.

SHKARKO APP