Hetimi për privatizimin e OSSH, Ruli: Procesi qe transparent
Komisioni hetimor për të verifikuar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes kompanisë çeke, CEZ thirri të martën në seancë dëgjimore ish-ministrin e Energjitikës, në qeverisjen e djathtë, Genc Ruli, i cili deklaroi se procesi i privatizimit ishte transparent dhe se qeveria është asistuar edhe nga ekspertë të Bankës Botërore. Por ish-ministri Ruli deklaroi se legjislacioni shqiptar ishte i pamjaftueshëm.
Kryetari i Komisionit Hetimor, deputeti socialist Taulant Balla ngriti shqetësimin për mospraninë e ish kryeministrit Berisha në mbledhjen e sotme. Sipas tij, komisioni sërish do t’i nisë shkresë atij.
Komisioni parlamentar që heton zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes(OSSH) kompanisë CEZ nga qeveria paraardhëse, është konstituar në fund të muajit prill dhe kryetar është deputeti socialist, Taulant Balla. Objekti i hetimit, sipas tij, është hetimi i procesit të privatizimit të OSSH-së, ku ai thotë se konstatohen parregullsi të shumta ligjore dhe favorizim i kompanisë CEZ, jo vetëm gjatë privatizimit, por edhe në periudha të mëvonshme.
Çështja CEZ po hetohet paralelisht nga dy komisione parlamentare, të kërkuara nga PS dhe PD. Ndërsa objekti i komisionit të kërkuar nga PS është hetimi i privatizimit të CEZ-t në vitin 2009 nga qeverisja e PD-së (sot në opozitë), komisioni i kërkuar nga Partia Demokratike do të hetojë mbi zgjidhjen me mirëkuptim të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke në vitin 2014, nga ku PD pretendon se shtetit i është shkaktuar një dëm prej 600 milionë eurosh.