#Hey Twitter

Një satirist gjerman që thotë se Twitter-i nuk po i fshin mesazhet e urrejtjes, ka arritur të tërheqë vëmendjen e firmës në një mënyrë të veçantë – duke shtypur mesazhet ofenduese jashtë zyrave në Hamburg.

Shahak Shapira, i cili është hebre, thotë se ka raportuar 300 incidente të mesazheve të urrejtjes në 6 muaj, por Twitter i ishte përgjigjur vetëm 9 prej tyre. Në platformën YouTube qarkullon tashmë një video ku Shapira duket teksa shtyp 30 postime me mesazhe të tilla.

“Gjermania duhet të gjejë një zgjidhje përfundimtare për Islamin,” shkruan njëra.
“T’i mbysim hebrenjtë me gaz,” thotë tjetra teksa i referohet vrasjes së 6 milionë hebrenjve nga nazistët në periudhën e Luftës së Dytë Botërore.

“Nëse Twitter-i më detyron t’i shoh këto gjëra, atëherë edhe ata duhet t’i shohin gjithashtu,” ishte kundërpërgjigja e artistit në videon e publikuar të hënën. Ai i përshkroi komentet si “jo thjesht ofendime apo shaka, por si kërcënime serioze e të dhunshme.” Në to përfshihen deklarata homofobe, ksenofobe ose që mohojnë Holokaustin.

Shapira u shpreh se 9 përgjigjet e marra nga Twitter, i thonin se postimet nuk i shkelnin rregullat e faqes. “Nuk kam marrë asnjë email të vetëm ku të thuhet se një postim është hequr,” thotë artisti.

Ai shpjegoi në videon e quajtur #HeyTwitter se ai kishte shtypur disa nga mesazhet e mbushura me urrejtje dhe më pas kishte udhëtuar në Hamburg për t’i pikturuar përpara zyrave qendrore të platformës.

Fjalimet e urrejtjes janë një temë e ndjeshme për Gjermaninë për shkak të krimeve të kryera nga regjimi nazist në Luftën e Dytë Botërore. Në korrik, vendi miratoi një ligj që i detyronte kompanitë e mediave sociale t’i fshinin postimet raciste ose përgojuese brenda 24 orëve, përndryshe ato do të paguanin gjoba deri në 50 milionë euro.

Shapira thotë se ka raportuar 150 komente edhe në Facebook gjatë të njëjtës periudhë 6-mujore dhe 80% e tyre janë fshirë brenda 3 ditëve. Kreu i politikës publike të Twitter, Karen White është shprehur se faqja ka prezantuar një sërë mjetesh të reja për të përmirësuar eksperiencën për të gjithë. Ndër to, është përfshirë edhe përmirësimi i procesit të raportimit për përdoruesit dhe i rishikimit nga ana e punonjësve të kompanisë. Faqja thuhet gjithashtu se ka shtuar veprimtarinë e saj ndaj llogarive abuzive krahasuar me një vit më parë.

SHKARKO APP