Historia e pabesueshme e Kevitan, flet Erigert Azizi, autori i 11 golave në një ndeshje

Futbollisti i talentuar Erigert Azizi i ardhur gjatë fazës së dytë të Kevitan, u bë pjesë e suksesit të kësaj skuadre në Kategorinë e Tretë, vetëm një vit nga themelimi, për të cilën shprehet për “Koha Jonë” se asgjë nuk ishte e rastësishme. – “Mbyllëm një sezoni fantastik, do të thosha, dhe ishte po ashtu fantastik edhe sezonin për mua nga ana personale. Shifrat e golave flasin vetë, por besoj se ka qenë arritja e një pune të madhe e bërë gjatë gjithë vitit. Në fakt ky sezon tregoi dhe një anë tjetër timen profesionale. Besoj se luajta për 2 skuadra, pasi fazën e parë isha lojtar i Spartakut ku ishte në të njëjtin grup me Kevitan. Fazën e dytë falë arritjeve të mia që tregova gjatë  fazës së  parë, arrita të bëhesha pjesë e një prej skuadrave më të mira, besoj, jo vetëm të asaj kategorie por e them me bindje që mund të jetë një nga skuadrat e vetme që në përbërje ka lojtarë me cilësi shumë të larta.”  Azizi shënoi 11 gola në një ndeshje të vetme, duke vendosur një rekord personal për Kevitan, Kategorinë e Tretë dhe për mbase futbollin në Shqipëri. Por si e përjetoi atë ditë, futbollisti Erigert Azizi? – “Për sa i përket emocioneve të atij rekordi që arrita sivjet, duke shënuar 11 gola në një ndeshje, mund të them qe ishte diçka e pabesueshme, me gjithë respektin ndaj kundërshtarit. Por  ndoshta ajo ka qenë një ndeshje perfekte nga ana ime duke treguar të gjithë anët e mira të miat si ato fizike ashtu edhe ato teknike. Emocionet vazhduan për shumë kohë, sepse ajo ndeshje bëri që vëmendja e kundërshtarit ndaj meje të ishte e madhe. Ka pasur edhe ndeshje të tjera që kam shënuar goleada personale duke shënuar nga 5 apo 6 gola për çdo ndeshje.” Pas një sezoni të shkëlqyer, Erigert Azizi, flet më tej për ambiciet e Kevitan, dhe thotë se e ardhmja e tij, megjithatë mbetet e hapur: – “Ndoshta është herët të përcaktojë të ardhmen time, por aktualisht jam akoma pjesë e Kevitanit. Klubi ka një projekt për ecurinë dhe ngjitjen përsëri në një kategori më lart, por, gjithsesi asgjë nuk përjashtohet,” –  përfundon Azizi.

Azizi, Mziu, dy “super-golashënuesit” e Kevitan

Sulmuesi Vilson Mziu u shpall edhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Tretë, duke vendosur një rekord golash me Kevitan. Ai shënoi 47 gola në 21 ndeshje. Sulmuesi tjetër që shënoi një bollëk golash ishte  Ergert Azizi, 39. Të dy sulmuesit kryesorë të Kevitan, ishin pjesë e një sezoni të shkëlqyer dhe suksesit që u shënua në librin e rekordeve.

Historia e Kevitan, i mjaftoi një vit për rekorde e trofe   

Presidenti Artan Singa solli përvojën angleze në Tiranë kur krijoi ekipin e futbollit K.F Kevitan, që me të rinj të talentuar njohu një sukses që u fut në historinë e futbollit shqiptar.  Gjatë kohës që Singa ishte në Angli, krijoi edhe një ekip futbolli të ngjashëm. Eksperiencën pasi u kthye në Shqipëri e vazhdoi me krijimin e klubit të Kevitan. Pra, gati një vit më parë Singa vendosi të krijojë një ekip futbolli,  me emrin “K.F Kevitan”, që ka si qendër zonën “Don Bosko”. Pak muaj pas krijimit dhe regjistrimit në FSHF, Kevitan u krijua më tepër si OJF, për të ndihmuar fëmijët dhe të rinjtë, apo shtresat në nevojë që kishin dëshirë dhe talentë për të mos shkuar dëm, por iu dha një mundësi për të luajtur futboll.  Kështu, shoqata e krijuar prej tij me mision për të përhapur dhe organizuar aktivitete futbollistike, me fëmijë dhe të rinj, kryesisht të atyre shtresave që nuk kanë mundësi ekonomike, apo jetimëve, funksionoi më mënyrë perfekte. “K.F Kevitan” është më shumë se një ekip futbolli. Tashmë Kevitan është në Kategorinë e Dytë. Pas sukseseve dhe pushimeve, skuadra do t’i kthehet përgatitjeve për sezonin e ri me synimin që të ngjitet edhe në një kategori tjetër më lart, pse jo që edhe Kategoria Superiore të mos jetë një ëndërr për të gjithë grupin e futbollistëve që në një sezon dhuruan emocione të jashtëzakonshme. Singa ka investuar edhe në infrastrukturë dhe ka krijuar një klub model, në kryeqytet. Kevitan është ngjitur pas një viti në Kategorinë e Dytë. në kryeqytet është edhe një ekip tjetër, me histori të madhe të futbollit tonë, Dinamo. Kjo skuadër konkurron në një kategori më lart, pra në Kategorinë e Parë. Dhe nuk do të jetë çudi që Dinamo dhe Kevitan të jenë në një kategori sezonin tjetër. Pasioni, investimet dhe idetë për të pasur sukses, janë duke triumfuar përballë historisë. Kevitan, me rekordet që shënoi në edicionin e parë si klub, tashmë duket edhe më “i etur” për suksese të tjera. Kevitan i drejtuar me mjaft sukses nga trajneri Mark Vata ka mbyllur sezonin duke fituar edhe titullin e Kategorisë së Tretë ndaj Internacionalit të Tiranës.  Ekipi në një vit pati sukses, pasi në përbërje binin në sy lojtarë të rinj e të talentuar disa prej të cilëve që kanë qenë edhe titullarë në Kategorinë e Dytë dhe në të Parën në sezonet e shkuara. Kevitani, ka festuar gjatë për suksesin, megjithatë sezonin që vjen të dyja skuadrat do të luajnë në të Dytën. Kevitani, do të synojë që të jetë kalimtar, pasi synimi është ngjitja në Superligë edhe falë projektit ambicioz që kanë sponsorit e skuadrës së Kevitanit, për ndërtimin e një klubi model. Plot 23 fitore në 23 ndeshje duke thyer rekordin historik të Dinamos së viteve 50′ me 18 fitore radhazi, 151 gola të realizuar dhe vetëm 7 të pësuar, Kevitan në shumë pak kohë ja doli të vendoste emrin  në librin e rekordeve të futbollit shqiptar. Kevitan e mbylli sezonin në “Qemal Stafa”, ku u luajt edhe finalja e Kategorisë së Tretë ndaj Internacional, në mënyrën më të mirë të mundshme.  Kapiteni Bledar Malaj ishte ai që ngriti lart trofeun e skuadrës kampione, vetëm një sezon nga krijimi. Trajneri Mark Vataj, s’kishte sesi te mund të mos i gëzohet kësaj arritjeje fantastike. – “Kjo është arritja më e madhe për mua si trajner,” – theksoi ai, duke përgëzuar presidentin që bëri të mundur krijimin e kësaj skuadre, futbollistët por edhe tifozët që janë afruar brenda një sezoni. Kevitan u ngjit në Kategorinë e Dytë dhe kërkon tashmë të njëjtin sukses. – “Shpresojmë që sezonin e ardhshëm të vazhdojmë me këto rezultate dhe me 2-3 përforcime, pse jo të tentojmë ngjitjen në kategorinë e parë”. Presidenti i Kevitan, Artan Singa, pas suksesin në sezonin e parë thotë se “ngjitja e menjëhersme e këtij ekipi në Kategorinë e Parë, investimet në infrastrukturë dhe në akademi, janë prioritet e së ardhmes.”  

Aranit Muraçi

SHKARKO APP