Huatë me probleme vijojnë rritjen, arrijnë 21.44%

Kreditë me probleme shënuan rritje edhe gjatë gushtit, për të tretin muaj radhazi, për të arritur në 21.44%, me një zgjerim prej 0.29 pikë përqindjeje në raport me muajin e mëparshëm, sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i lartë që prej majit 2015 dhe një sinjal që bizneset, që kanë dhe nivelin më të lartë të kredive me probleme, nuk po arrijnë të dalin nga kriza.

Të dhënat e detajuara deri në muajin korrik treguan se është pikërisht rritja e fortë e kredive nënstandarde (kur këstet e kredisë nuk paguhen për një periudhë nga 91 deri në 180 ditë nga data e caktuar) që ka përkeqësuar treguesin e NPL-ve. Huat nënstandarde janë kategoria e parë kur një kredi fillon e konsiderohet problematike. Kjo kategori është rritur me 68% në korrik, në raport me dhjetorin 2015, apo rreth 120 milionë euro më shumë, çka tregon se nuk është vetëm efekti i Kurum International, që shpalli falimentin në korrik dhe kishte rreth 30 milionë euro kredi në bankat shqiptare.

Banka e Shqipërisë. në raportin e fundit të mbikëqyrjes bankare. shprehu shqetësimin për rritjen e treguesit të kredive me probleme për bizneset, sidomos atë në valutë. Huatë me probleme për biznesin vlerësoheshin në 24.4% në fund të qershorit, duke u rritur me 3 pikë përqindje në krahasim me dhjetorin 2015, ndonëse është ulur me 0.5 pikë përqindjeje në raport me një vit më parë. Më problematike është kredia në valutë. Raporti i kredive me probleme për bizneset në valutë është përkeqësuar, duke qëndruar në nivelin e 25.3% në fund të gjashtëmujorit të parë. Në të kundërt, kredia me probleme për individët është përmirësuar, duke u ulur me 2.9 pikë përqindjeje, në 12% në fund të 6-mujorit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në dhjetor të vitit të kaluar, treguesi i huave që nuk janë kthyer në banka të paktën për tre muaj (NPL) shënoi një rënie të fortë, duke zbritur në 18.22%, nga 22.8% që kishte qenë në dhjetor 2014. Por, më shumë se përmirësim të ecurisë së bizneseve dhe rritje të aftësisë së tyre paguese, kjo ulje reflektonte fshirjen e kredive me probleme, që kishin të paktën tre vjet që nuk ktheheshin, nga bilancet e bankave. Sipas burimeve nga Banka e Shqipërisë u fshinë rreth 23 miliardë lekë.

Swiss Digital Mobile Reklama

Banka e Shqipërisë, prej kohësh ka vënë në zbatim një plan veprimi për uljen e kredive me probleme.

Mirëpo plani aktual që po zbatohet në bashkëpunim me qeverinë rrezikon të përfshihet në ngërç, nëse miratimi i ligjit të falimentit vijon të zvarritet edhe më tej. Ky projektligj që ka më shumë se dy vite që është hartuar edhe me asistencën e Bankës Botërore, ka mbetur në sirtarët e Kuvendit.

Mosmiratimi e tij krijon vonesa në avancimin e trajtimit të 35 kredimarrëseve të mëdhenj. Ligji i ri do të mund të zgjidhë ngërçin në këto biznese, duke i çuar gjysmën e tyre në faliment të sigurt dhe pjesën tjetër në strukturim.

Ekspertët në Bankën e Shqipërisë bënë me dije se banka ka gati një plan masash shtesë në rast të dështimit të ligjit të falimentit. Duke e mbajtur konfidencial planin e ri të masave, të njëjtët ekspertë thanë se ato do të diskutohen me qeverinë dhe më pas do të jenë të njohura edhe me publikun.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?